Lajme

Institucioni i mbyllur, paga e vazhduar: Rasti Paunoviq ngre dyshime për financimet serbe në Kosovë

Ministrja serbe Snezhana Paunoviq shkaktoi reagime me një deklaratë skandaloze, duke thënë se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.

Para se të emërohej ministre në Qeverinë e Serbisë në vitin 2025, Snezhana Paunoviq merrte pagë si deputete, por edhe si drejtoreshë e Institucionit Farmaceutik të Pejës në Kosovë.

Ky institucion, me seli në Gorazhdec, nuk ekziston zyrtarisht që nga viti 2021. Radio Evropa e Lirë konstatoi se ai është mbyllur më 7 tetor 2021, me vendim të Qeverisë së Serbisë.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, tha për “Bota sot” se rasti i Snezhana Paunoviq ngre dyshime serioze për vazhdimin e financimit të strukturave paralele serbe në Kosovë.

Sipas tij, nëse një institucion i mbyllur ka vazhduar të paguajë drejtuesit e tij, kjo tregon se Beogradi mund të vazhdojë të financojë mekanizma paralelë për të ruajtur ndikimin në Kosovë.

Ai shtoi se autoritetet kosovare kanë lidhur një pjesë të këtyre strukturave me aktivitete që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë publike.

“Rasti i Snezhana Paunoviq nuk është thjesht një anomali administrative. Ai është një sinjal që ngre dyshime serioze mbi mënyrën se si Serbia vazhdon të financojë strukturat e saj paralele në Kosovë, edhe kur ato nuk ekzistojnë më në aspektin formal.

Nëse një institucion i mbyllur zyrtarisht në vitin 2021 ka vazhduar të prodhojë paga për drejtuesit e tij, atëherë lind pyetja se sa struktura të tjera vazhdojnë të financohen nga buxheti i Serbisë pa një bazë të qartë funksionale. Kjo nuk është vetëm çështje e menaxhimit të financave publike; është çështje e strategjisë shtetërore të Beogradit për të ruajtur ndikimin paralel në territorin e Kosovës.

Për më shumë se dy dekada, Serbia ka ndërtuar dhe financuar një rrjet institucionesh, zyrash dhe mekanizmash paralelë në Kosovë. Një pjesë e këtyre strukturave janë identifikuar nga autoritetet e Kosovës si platforma për ushtrimin e ndikimit politik, logjistik dhe operativ në veri të vendit.

Ngjarjet e viteve të fundit, përfshirë sulmet e armatosura ndaj institucioneve dhe Policisë së Kosovës, kanë treguar se rrjetet e ndërtuara dhe të mbështetura nga Beogradi nuk kanë pasur vetëm funksion administrativ. Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se individë të lidhur me strukturat paralele kanë qenë të përfshirë në aktivitete që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë publike. Këto pretendime janë shoqëruar me hetime dhe masa ligjore ndaj personave të dyshuar”, tha ai.

Shala theksoi se rasti nuk duhet parë si i izoluar, por si një tregues i mundshëm i funksionimit të vazhdueshëm të rrjeteve paralele.

Ai bëri thirrje për auditim dhe hetim transparent të fondeve që Serbia ndan për strukturat në Kosovë, duke shtuar se transparenca është thelbësore nëse Beogradi synon të dëshmojë përkushtim ndaj normalizimit të marrëdhënieve.

“Në këtë kontekst, rasti i një institucioni të mbyllur që vazhdon të financohet nuk duhet parë i izoluar. Ai ngre dyshime nëse fondet publike të Serbisë vazhdojnë të mbajnë në funksion një rrjet paralel, i cili shkon përtej ofrimit të shërbimeve dhe shërben si instrument i ndikimit politik dhe të sigurisë në Kosovë.

Pikërisht për këtë arsye, nevojitet një auditim i plotë si dhe një hetim transparent mbi të gjitha fondet që Serbia vazhdon të ndajë për strukturat e saj në Kosovë. Opinioni publik ka të drejtë të dijë se cilat institucione financohen ende, kush i administron këto mjete dhe nëse ato përdoren për qëllime civile apo për të mbështetur mekanizma që sfidojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Nëse Serbia synon të dëshmojë se është e përkushtuar ndaj “normalizimit të marrëdhënieve” dhe standardeve evropiane, transparenca mbi financimin e strukturave paralele duhet të jetë hapi i parë. Çdo euro e shpërndarë jashtë mekanizmave të ligjshëm dhe pa llogaridhënie vetëm sa ushqen mosbesimin, tensionet dhe paqëndrueshmërinë në rajon” – përmbyll ai.

Të Ngjashme