Shkencë & Teknologji

Inteligjenca artificiale po ndryshon tregun e punës, por këta punonjës do të kenë avantazh

Ndërsa inteligjenca artificiale po merr gjithnjë e më shumë detyra që deri tani kryheshin nga njerëzit, drejtori i kompanisë Palantir, Alex Karp, thotë se dy kategori punonjësish do të kenë më shumë mundësi në të ardhmen: ata që punojnë në profesione praktike dhe personat që mendojnë ndryshe nga shumica, të njohur si neurodivergjentë.

Karp u shpreh se inteligjenca artificiale mund të ndikojë më shumë te punët në zyra, sidomos ato që lidhen me dokumentet, administratën dhe detyrat që mund të kryhen përmes kompjuterit.

Në të kundërt, profesione si elektricistët, hidraulikët dhe punëtorët e specializuar mund të vazhdojnë të jenë shumë të kërkuar.

Kjo lidhet edhe me ndërtimin e qendrave të mëdha të të dhënave, të cilat përdoren për funksionimin e inteligjencës artificiale.

Për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre nevojiten shumë punonjës që kanë aftësi praktike dhe teknike.

Pse personat që mendojnë ndryshe mund të kenë avantazh?

Një tjetër grup që Karp sheh me potencial janë personat neurodivergjentë, pra njerëzit që e përpunojnë informacionin dhe i zgjidhin problemet në mënyra të ndryshme nga shumica.

Sipas tij, kjo mënyrë e veçantë e të menduarit mund t’i ndihmojë ata të gjejnë zgjidhje të reja dhe të shohin problemet nga këndvështrime të tjera.

Vetë Karp ka treguar publikisht se vuan nga disleksia.

Kompania e tij, Palantir, ka krijuar edhe një program të veçantë për të punësuar persona neurodivergjentë, të quajtur “Neurodivergent Fellowship”.

Pagat për këto pozicione variojnë nga 110 mijë deri në 200 mijë dollarë në vit.

Parashikimi i Karp vjen në një kohë kur inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si punojnë kompanitë dhe po zëvendëson disa detyra që më parë kryheshin nga punonjësit.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se vetëm këto dy kategori do të kenë punë në të ardhmen.

Ajo që bëhet gjithnjë e më e rëndësishme është aftësia për t’u përshtatur, për të mësuar gjëra të reja dhe për të përdorur teknologjinë në punën e përditshme.

Të Ngjashme