Shkencë & Teknologji

Inteligjenca Artificiale shtrenjton produktet teknologjike, rriten çmimet e telefonave dhe laptopëve

Bumi global i Inteligjencës Artificiale po ushtron presion mbi tregun e pajisjeve elektronike, duke sjellë rritje të çmimeve për smartfonët, laptopët, kompjuterët dhe konsolat e lojërave.

Kërkesa në rritje për çipa të avancuar nga qendrat e të dhënave që përdoren për zhvillimin dhe funksionimin e sistemeve të IA-së po orienton një pjesë të madhe të kapaciteteve prodhuese drejt këtij sektori.

Si pasojë, komponentë të rëndësishëm, veçanërisht procesorët dhe modulet e memories me shpejtësi të lartë, po bëhen më të kushtueshëm dhe më të vështirë për t’u siguruar.

Sipas një analize të kompanisë së kërkimeve të tregut, e publikuar në kuadër të panairit ndërkombëtar të teknologjisë IFA, ndikimi i kësaj situate po ndihet gjithnjë e më shumë te konsumatorët.

Një prej shembujve është Apple, e cila në qershor njoftoi për rritje çmimesh, duke iu referuar kostove më të larta të çipave.

Se në çfarë mase do të ndikohen konsumatorët pritet të bëhet më e qartë me prezantimin e modeleve të reja të iPhone.

Edhe kompani të tjera të mëdha, përfshirë HP, Dell dhe Nintendo, kanë rritur çmimet e produkteve të tyre.

Në Gjermani, Shoqata e Industrisë Digjitale Bitkom parashikon se çmimi mesatar i një smartfoni gjatë këtij viti do të arrijë në rreth 646 euro.

Përballë mungesës së disa komponentëve, prodhuesit po ndryshojnë strategjitë e tyre.

Kompanitë po përqendrohen te konfigurimet më të kërkuara, veçanërisht ato me 256 ose 512 GB memorie, ndërsa po reduktojnë numrin e varianteve të disponueshme.

Kjo pritet të ndikojë veçanërisht te pajisjet e kategorisë së lirë, të cilat mund të bëhen më të rralla ose të kushtojnë më shumë.

Eksperti i industrisë nga NIQ, Alexander Dehmel, thotë se nuk pritet një krizë e përgjithshme furnizimi e ngjashme me atë të vitit 2020.

Megjithatë, ai paralajmëron se konsumatorët duhet të përgatiten për rritje të ndjeshme të çmimeve.

Të Ngjashme