ShowBizzz

Intervistë/ Kaltrina Haziri: Pamja e jashtme referencë, si një cover libri!

Gazetarja nga Kosova tregon gjithçka që frymëzon stilin e saj dhe rëndësinë që ka pamja në prezantim

Nga Ilda Lumani

Kaltrinën e njoh që kur ishte gazetare në Klan Kosova dhe raportonte nga Tirana për ngjarje dhe evente të rëndësishme të artit dhe kulturës. Nga ajo kohë kemi ndjekur karrierën e njëra-tjetrës me dashamirësi. Sot, Kaltrina Haziri ka një eksperiencë cilësore në televizion me formate dedikuar veçanërisht modës, duke mbështetur dhe promovuar këtë sektor. E ka manifestuar stilin e saj të këndshëm nga një fazë e jetës në tjetrën, për të cilin sot do të ndajë edhe këtë bisedë të këndshme për BORDO. Këto ditë vjeshte e gjejnë Kaltrinën të dedikuar si nënë, në pritje të rikthimit në ekran, ndaj rrëfimit të saj i shtohet dhe doza e një nëne ekstravagante, që bashkë me kombinimet e bukura, kur del shoqërohet edhe me karrocën e bebit.

Kaltrina, prej vitesh në media, si i kujton fillimet e tua?

Sfiduese (qesh)! E them këtë pasi pjesë e medias jam bërë në vitin 2008, në një kohë kur media ka pësuar një lloj tranzicioni në dukje dhe në përmbajtje. Pikërisht në atë kohë po hapej Klan Kosova, një televizion i ri i cili mblodhi shumë të rinj ambiciozë, pasi qëllimi ishte të bëhej një lloj revolucioni në këtë fushë. Unë isha pjesë e ekipit themeltar dhe me këtë medium rrugëtova deri në vitin 2013. Çka është shumë e rëndësishme, krejt punën time aty e kujtoj me mburrje dhe krenari.

Cilën e veçon si eksperiencën më të bukur?

Secila eksperiencë në media është aventurë më vete, por unë do ta veçoja emisionin “Fashionista”, pasi ky format erdhi në një kohë kur për modën, në mediat e Kosovës, flitej pak e hiç. Në këtë emision është gërshetuar e bukura, e veçanta, stili, modernia e tradicionalja. Pos disenjatorëve të njohur në Kosovë e në Shqipëri, përmes këtij formati të realizuar në KTV, i kam vënë në pah edhe talentet e rinj në botën e modës, si dhe personazhe të cilët jetojnë plot stil, por që s’kanë qenë para syrit të publikut. 

Por, eksperienca e cila ka lënë gjurmë dhe ka bërë të plotësohem në të gjitha dimensionet, ka qenë ardhja e televizionit ATV në skenën mediale. Duke qenë pjesë e ekipit themelues të këtij televizioni, aq sa ka qenë sfidë, ka qenë edhe kënaqësi. 

Krijimi i shumë programeve, realizimi i shumë ideve inovative, trajnimi i një stafi të ri në këtë fushë, e ka bërë këtë rrugëtim shumë të veçantë. Sot, ATV-ja është një prej mediave më me ndikim në Kosovë, dhe për këtë ndihem shumë krenare.

Intervistë/ Kaltrina Haziri: Pamja e jashtme referencë, si një

Terreni apo studio? Ku ndihesh më mirë dhe ku jep më shumë?

Nuk mund të jesh gazetar i mirë pa e provuar terrenin. Definitivisht për terren ndiej shumë nostalgji.

Stili i një njeriu mediatik është shumë i rëndësishëm. Ti sa ke investuar në këtë pjesë?

Jo vetëm i një njeriu mediatik! Pamja e jashtme është një lloj reference për të tjerët, është njëlloj si ai cover-i i librit, pavarësisht se është fasadë e ka një lloj impakti te të tjerët, tërheq vëmendje. Sigurisht ekrani kërkon angazhim edhe në dukje, por tek unë kjo pjesë është shumë ‘fun’. Edhe pse origjinaliteti është diçka që unë përpiqem, kam guxuar të eksperimentoj. Falë stilimit tim dhe bashkëpunimit me disa nga disenjatorët tanë që krijojnë veshje unike, kam arritur të sjell frymëzim edhe për të tjerët. Thjesht, nuk ka të bëjë me sa shpenzoni, por për mënyrën se si i kombinoni të gjitha bashkë. 

Nëse do ta përkufizoje stilin tënd, si do të ishte ai?

“Bold, or go home”! Ndryshoj vazhdimisht stil, por i përshtatem personalitetit dhe fizionomisë sime. Më pëlqen të miksoj stile. Në një veshje kam gjithmonë një pjesë vintage, një pjesë ‘low cost’ dhe një pjesë designer. Kombinimet e mia vijnë nga mendja ime në bazë të shijeve personale, gjendjes shpirtërore, kohës, vendit ku duhet të shkoj. Ajo që di është se stili im nuk kufizohet thjesht në atë që vesh, por më tepër një shkrirje e gjithçkaje për të cilën kam prirje.  

Intervistë/ Kaltrina Haziri: Pamja e jashtme referencë, si një

Pëlqen markat, apo të veçantat “no name”?

I dua stilistët që tregojnë histori përmes veshjeve të tyre, por megjithatë arrijnë të bëjnë diçka të përshtatshme. Gjithmonë përpiqem të kem diçka unike, që mund ta vesh përgjithmonë dhe të cilat janë lehtë të transformueshme në stil. Më pëlqejnë format, ngjyrat, veshjet “timeless”, plus ato janë shumë të lehta për t’u përditësuar çdo sezon.

Stilisti yt i preferuar? 

Alexander McQueen, Chanel, Maison Margiela, Sacai, 

Parfumi që zgjedh gjithmonë?

Chanel Chance!

Në gardërobën tënde nuk mungon asnjëherë… cila gjë?

Xhaketë e zezë, bluzë e bardhë dhe xhinse.

Ngjyra e preferuar në veshje?

Varet prej stinës.

Tani që je bërë nënë, ke ndryshuar stil?

Aspak, vetëm se më është shtuar një aksesor. Karroca (qesh).

Rehati atlete, apo taka dhe vetëm taka?

Varet prej humorit dhe rastit. 

Për fëmijët zgjedh veshje të rehatshme, apo të pëlqen që edhe ata të dallohen që tani me stilin e tyre?

Të rehatshme, gjithmonë!

Projekti që po pret të të rikthejë në ekran pas lindjes?

Tani që po e shijoj bebin, jam duke bluar shumë ide në kokë dhe sigurisht do të kthehem me diçka të veçantë, por është ende herët për detaje. 

Programi që pëlqen të shohësh në ekran, cili është? 

Netflix momentalisht! Më pëlqejnë formatet e tipit ‘talk show’, pasi është një gjini e programeve që kanë fuqinë e fjalës, si Oprah Winfrey, David Latterman e ConanO’Brien. 

Do të hyje në një ‘reality show’ për famë?

Nuk e shoh veten në formate të tilla!

Cili është programi që pëlqen më shumë të shohësh në Kosovë, apo në Shqipëri?

Në përgjithësi programet të cilat kanë format argëtues, kanë përmbajtje dhe janë origjinale. 

Modeli yt i gazetarit që të frymëzon?

Janë disa gazetarë që i përcjell prej vitesh.

 

 



bal