Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Inva Mula, ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare.
“Lamtumirë Mjeshtër! Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq, që dot s’po zgjohemi vallë?”, ka shkruar këngëtarja, ndërsa ka publikuar një foto të tij dhe poezinë e famshme “Mall”.
Ismail Kadare mbylli sytë përfundimisht ditën e sotme, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Shkrimtari lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
ks