Apple tashmë ofron disa forma mbrojtjeje kundër vjedhjes së iPhoneit, por tani duket se kompania po “huazon” një nga truket më të zgjuara të sigurisë së Android-it për të mbyllur një boshllëk të madh në mbrojtje.
Edhe pse funksione si Stolen Device Protection dhe Find My ndihmojnë që të dhënat tuaja të mbeten të sigurta nëse e humbni iPhone-in, ato nuk mund të bëjnë shumë për të ndaluar dikë që jua rrëmben pajisjen nga duart ndërsa është e shkyçur.
Duket se Apple po punon për një zgjidhje që është frymëzuar kryesisht nga Android. Sipas një raporti të ri të portalit 9to5Mac, kompania po zhvillon një funksion që mund të bllokojë automatikisht iPhonen nëse ai ju rrëmbehet nga duart.
Sipas raportit, Apple do të përdorë një kombinim sinjalesh, përfshirë të dhëna nga akselerometri (sensori i përshpejtimit), për të kuptuar nëse iPhone është rrëmbyer. Nëse të dhënat tregojnë se telefoni është vjedhur në këtë mënyrë, ai do të bllokohet automatikisht.
Pritet që Apple të shfrytëzojë edhe të dhëna për distancën nga Apple Watch i çiftuar për të përmirësuar funksionimin e kësaj veçorie, si dhe të aplikojë të njëjtat rregulla që përdor Stolen Device Protection për të përcaktuar nëse iPhone ndodhet në një vend të njohur.
Nëse funksioni zbulon se iPhone është vjedhur në një vend të panjohur, ai jo vetëm që do ta bllokojë telefonin, por edhe do të kufizojë qasjen në cilësimet që zakonisht kufizohen nga Stolen Device Protection.
Ende nuk dihet kur Apple planifikon ta sjellë këtë funksion në përdorim. Megjithatë, sipas raportit, ai është në fazë aktive zhvillimi, kështu që prezantimi mund të pritet së shpejti./telegrafi.com
