Lajme

LVV kundër nismës së PDK-së që Ligji për Specialen të votohet pa ndryshime: Mos të gabojmë sërish!

Lëvizja Vetëvendosje (VV) nuk e mbështet propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që Ligji për Gjykatën Speciale të hyjë në fuqi në formën në të cilën është miratuar nga Kuvendi, pa pritur një proces të ri konsultimesh dhe shqyrtimi të ndryshimeve të mundshme.

Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, ka paralajmëruar se nuk duhet të nxitohet me vendimmarrjen, duke theksuar se gabimet e mëparshme kanë pasur pasoja dhe se për këtë çështje nuk do të ketë mundësi për një lexim të katërt.

“I kemi edhe dy javë kohë. Nuk është mirë që përsëri të nxitohemi e përsëri të gabojmë e të pendohemi. Gabimet po na kushtojnë rëndë. Nuk ka mandej lexim të katërt!”, ka deklaruar Rrustemi.

Ai ka kërkuar që Grupi Punues për strategjinë shtetërore lidhur me Apelin në Hagë të zhvillojë konsultime me Bashkimin Evropian (BE), përpara se të raportojë në Kuvend dhe të përcaktohen mundësitë për ndryshime ligjore.

“I gjithë Grupi Punues për Strategji drejt Apelit në Gjykatë Speciale me përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare dhe në krye me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, duhet të takohet dhe konsultohet me BE-në. Pastaj, le të vijnë dhe raportojnë në Kuvend”, është shprehur Rrustemi.

Ndërkohë, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, PDK-ja ka kërkuar që të votohet për rrëzimin e vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula. Kjo do të mundësonte që ligji të hynte në fuqi në formën e miratuar nga Kuvendi, ndërsa ndryshimet e tjera të bëheshin më pas përmes amendamenteve.

Por kjo mënyrë nuk është mbështetur nga VV-ja, e cila ka shprehur shqetësimin se një procedurë e tillë mund të krijojë probleme të tjera ligjore. Për këtë arsye, nga kjo parti është kërkuar që të ndërmerret një nismë e re ligjore dhe që Ligji aktual të rrëzohet.

Kujtojmë se ndryshimet në Ligjin për Specialen ishin miratuar më 6 tetor, ndërsa më 22 tetor presidentja Justina Shiroka-Pula e kishte kthyer atë në Kuvend, pas kërkesës së PDK-së, e cila kishte iniciuar ndryshimet.

Nisma për ndryshimin e ligjit erdhi rreth dy javë pasi Gjykata Speciale dënoi me gjithsej 81 vjet burgim katër ish-udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Përmes ndryshimeve të propozuara, PDK-ja kishte kërkuar që dënimi maksimal të kufizohej në 15 vjet burgim, të mundësohej ankesa në Gjykatën Supreme të Kosovës ndaj vendimeve të Speciales, dënimet të mund të vuhej në Kosovë dhe jo domosdoshmërisht jashtë vendit, si dhe presidenti i Kosovës të kishte mundësi të jepte amnisti për personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara.

Megjithatë, kërkesa e PDK-së për rishqyrtimin e ligjit para dekretimit nga presidentja nuk ishte mbështetur nga të gjithë deputetët e kësaj partie.

Të Ngjashme