Lajme

IPK-ja nis verifikimin e pretendimeve se një qytetar serb u keqtrajtua nga policia në Mitrovicë të Veriut

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë nisur të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me një incident në sheshin “Car Llazar”.

Inspektorati Policor sipas detyrës zyrtare (ex officio) ka filluar procesin e grumbullimit të informacioneve dhe hetimit preliminar lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga policia.

Sipas raporteve zyrtare, incidenti raportohet të ketë ndodhur sot pas mesnatës (pas orës 3) kur policia ka arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor një qytetar me inicialet M.S me dyshimin se i njëjti ka dëmtuar pronën e një dyqani privat në prezencë të zyrtarëve policorë.

Pas shqiptimit të një tikete për kundërvajtje (sipas Ligjit për rendin dhe qetësinё publike) i njëjti është liruar.

“Hetuesit e IPK-së përmes një hetimi preliminar do të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim të të njëjtit nga policia gjatë ndërmarrjes së veprimeve policore në këtë incident”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Lidhur me këtë rast, ka reaguar dhe Lista Serbe, ku shprehet se ky rast “është pasqyrim i serbofobisë së promovuar nga Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla, të cilët veriun e Kosovës e shohin si një territor të pushtuar ku gjithçka lejohet për të dëbuar popullin serb”.

Ndërkaq, Petrit Fejza nga rajoni policor i Veriut ka mohuar akuzat se policët e kanë rrahur në stacionin policor.

Ndër të tjera, ai ka thënë se për pretendimet e Subotiqit se është rrahur, duhet të paraqitet në stacionin policor dhe t’i informojë zyrtarët.