Lajme

IPK nis hetimet për trajtimin e rasteve të Arlinda Zekajt nga Policia

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprimet hetimore dhe verifikuese për të shqyrtuar mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar rastet e raportuara nga Arlinda Zekaj, e cila u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. Hetimet po zhvillohen me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, me qëllim të verifikimit të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë.

Në njoftimin e tij, IPK ka bërë të ditur se do të shqyrtojë mënyrën e pranimit, evidentimit, vlerësimit dhe trajtimit të secilit raportim të viktimës, si dhe veprimet që janë ndërmarrë ose eventualisht nuk janë ndërmarrë nga zyrtarët përgjegjës.

“Qëllimi i këtyre veprimeve është vlerësimi i ligjshmërisë dhe përputhshmërisë së veprimeve policore me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe identifikimi i përgjegjësive eventuale individuale dhe institucionale, nëse konstatohen shkelje apo lëshime gjatë trajtimit të rasteve të raportuara”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Inspektorati ka theksuar se procesi do të zhvillohet në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, duke synuar një trajtim profesional, të paanshëm dhe të gjithanshëm të rastit.

Rasti ka nxitur reagime dhe kërkesa për llogaridhënie institucionale, pasi Arlinda Zekaj, vetëm tri ditë para se të vritej, u ishte drejtuar institucioneve për të kërkuar masa urgjente për mbrojtjen e saj.

Në një letër drejtuar prokurores në Pejë, ajo kishte kërkuar që të merreshin masa ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre, duke lejuar që rreziku ndaj jetës së saj të vazhdonte.

“Kërkoj urgjentisht marrjen e masave ndaj të gjithë zyrtarëve që kanë dështuar rëndë në përmbushjen e detyrave të tyre, duke bartur përgjegjësinë te njëri-tjetri, e kështu duke lejuar që pasojat dhe rreziku për jetën time të vazhdojnë. Kërkoj ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj të gjithë zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga QPS-ja”, thuhet në letrën e saj.

Në të njëjtin dokument, Zekaj kishte shprehur shqetësimin se institucionet përgjegjëse mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi jeta e saj të ishte marrë.

“Kjo është shpresa ime e fundit. Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo.

Në fund të letrës, viktima kishte shprehur edhe zhgënjimin e saj për mënyrën se si po trajtohej kërkesa për mbrojtje.

“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri. E dhimbshme deri në asht”, përfundon letra.

Nisja e veprimeve nga IPK-ja synon të sqarojë nëse gjatë trajtimit të raportimeve të Arlinda Zekajt ka pasur shkelje apo lëshime nga zyrtarët policorë dhe nëse mund të identifikohen përgjegjësi individuale ose institucionale.

Të Ngjashme