Një prodhues ullinjsh në Greqi ka nxitur debat pasi është ankuar se punëtorët sezonalë kërkojnë jo vetëm 60 euro në ditë, por edhe kafe e briosh për mëngjes, si dhe pulë e birrë për drekë.
Kostas Varthakouris, nga Pirgosi, në rajonin e Ilisë, thotë se këto kërkesa shtojnë kostot që fermerët duhet të përballojnë gjatë sezonit të vjeljes së ullinjve.
Sipas tij, përveç pagës ditore, punëtorët presin që prodhuesi t’u sigurojë edhe ushqimin e pijet: briosh dhe kafe të ftohtë “freddo” në mëngjes, ndërsa në pushimin e drekës kërkojnë pulë dhe birrë.
Ankesa ka rikthyer diskutimin për shpenzimet e prodhimit bujqësor në Greqi. Përveç pagesës së punëtorëve, fermerëve u duhet të mbulojnë transportin, karburantin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të përdorura për mbledhjen e prodhimit.
Për prodhuesit e vegjël, këto shpenzime mund të pakësojnë ndjeshëm fitimin, sidomos kur çmimet e shitjes luhaten ose moti ndikon në sasinë dhe cilësinë e ullinjve.
Gjetja e punëtorëve mbetet gjithashtu një sfidë, pasi vjelja duhet të përfundojë brenda një periudhe të kufizuar.
Mungesa e fuqisë punëtore e vështirëson organizimin e punës dhe shton presionin mbi fermerët.
Megjithatë, debati prek edhe kushtet e punëtorëve.
Vjelja e ullinjve është punë e rëndë fizike, shpesh me orë të gjata në natyrë, çka e vendos diskutimin mes kostove që përballon prodhuesi dhe pagesës së drejtë për njerëzit që mbledhin prodhimin./skyweb.al
