Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, ka thënë se mërgata ka treguar se e ka të mbyllur derën për opozitën.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka ironizuar për takimet e opozitës në diasporë, teksa shton se mbështetja për VV-në po rritet vazhdimisht.
Kjo, sipas tij, është treguar i kolapsit total të opozitës në përballje me mërgatën, duke shtuar se nuk do të ndodhë ajo që po kërkohet që diaspora të mos votojë në zgjedhje.
Postimi i tij i plotë:
Mërgata jonë e ka treguar qartë se dera për opozitën mbetet e mbyllur. Takimet e djeshme “masive” të opozitës me nga 10 qytetar janë shenjë se kjo opozitë nuk ka çka lyp në mërgatë.
Mobilizimi dhe mbështetja e mërgatës për Lëvizjen Vetëvendosje po rritet dita-ditës, duke treguar qartë se përpjekjet e opozitës për të fituar zemrën e tyre kanë dështuar. Ky është një tregues i qartë i kollapsit total të opozitës në përballjen me mërgatën dhe një mesazh se shqiptarët e diasporës janë të vendosur për të përkrahur rrugën e drejtë të zhvillimit me LVV-në.
Tash së fundmi po kërkohet që mërgatës t’i pamundësohet votimi, por kjo nuk do të ndodh.