Tik-tokeri i njohur dhe ish-banori i Big Brother VIP Kosova, Laurent Krasniqi, ka humbur tragjikisht jetën si pasojë e një aksidenti me motor, të mërkurën mbrëma në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla.
Sipas njoftimit zyrtar, Krasniqi, i lindur në vitin 1997, është sjellë në Klinikën Emergjente nga ekipi i Ndihmës së Shpejtë, pa shenja jete, pasi ishte përfshirë në një aksident komunikacioni.

“Një i lindur më 1997, i sjellë nga ndihma e shpejtë pa shenja jete, aksident komunikacioni, i rrëzuar nga motori. Edhe përkundër të gjitha masave të RCP-së nga ekipi kujdestar, pacienti nuk mund t’u përballojë plagëve të marra dhe ndërron jetë në ora 21:40”, ka deklaruar Syla.
Laurent Krasniqi ishte bërë i njohur për publikun përmes rrjeteve sociale, ndërsa më pas mori pjesë edhe në edicionin e Big Brother VIP Kosova, duke tërhequr vëmendjen e publikut gjatë qëndrimit të tij në shtëpinë më të famshme në vend.
Ai ka humbur jetën tragjikisht si pasojë e plagëve të marra në aksidentin me motor.
