Studentët serbë kanë nisur të dielën në Kragujevc një projekt të quajtur “Memorandum për Kosovën dhe Metohinë”, përmes të cilit ata nuk e pranojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe shprehen të gatshëm të vazhdojnë “luftën” për Kosovën.
Në këtë nismë, ata pretendojnë se Kosova mbetet ende pjesë e tyre dhe një element i rëndësishëm i identitetit të tyre kombëtar.
Ish-komandanti ushtarak, Hafir Hoxha, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se nisma e studentëve serbë për “Memorandumin për Kosovën dhe Metohinë” është më shumë mesazh politik e ideologjik sesa aktivitet studentor.
Sipas tij, përdorimi i këtij termi tregon vazhdim të narrativës nacionaliste serbe që nuk e pranon realitetin e Kosovës pas pavarësisë.
Ai vlerëson se kjo nismë synon të ndikojë te rinia serbe dhe të shtojë presion politik në Serbi, duke e zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme drejt nacionalizmit. Po ashtu, paralajmëron se kjo mund të radikalizojë protestat dhe të përjashtojë pjesën më liberale të rinisë.
“Nisma e disa studentëve serbë për të ashtuquajturin “Memorandum për Kosovën dhe Metohinë” duhet parë si një mesazh politik dhe ideologjik, e jo thjesht si aktivitet studentor. Vetë përdorimi i terminologjisë “Kosova dhe Metohia” tregon se bëhet fjalë për vazhdim të narrativës tradicionale nacionaliste serbe, e cila nuk e pranon realitetin politik të krijuar pas vitit 1999 dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Kjo nismë synon të ruajë te rinia serbe idenë se Kosova ende konsiderohet pjesë e identitetit kombëtar serb dhe njëkohësisht të krijojë presion politik ndaj pushtetit në Serbi që të mos bëjë lëshime në dialogun me Kosovën. Po ashtu, ajo shfaqet në një kohë kur Serbia po përballet me pakënaqësi të brendshme dhe protesta studentore, të cilat deri tani kryesisht kishin fokus korrupsionin, problemet sociale dhe kundërshtimin ndaj pushtetit të Aleksandar Vuçiç.

Hafir Hoxha
Futja tani e temës së Kosovës dhe ngritja e toneve radikale mund të interpretohet si përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen e protestave nga problemet e brendshme drejt nacionalizmit tradicional. Këtu shihet edhe ndikimi i qarqeve nacionaliste, elementeve proruse dhe strukturave pranë Kishës Ortodokse Serbe, të cilat historikisht kanë ushqyer narrativë antishqiptare dhe anti-perëndimore. Nëse protestat qytetare gradualisht radikalizohen me retorikë nacionaliste, ekziston rreziku që një pjesë e rinisë më liberale dhe qytetare të largohet prej tyre”, tha ai.
Tutje, Hoxha thekson se deklaratat për “gatishmëri për luftë për Kosovën” janë të rrezikshme dhe nuk i përkasin realitetit të sotëm evropian. Ai kujton se Kosova tashmë ka institucionet e veta, mbështetjen e aleatëve perëndimorë dhe praninë e NATO-s përmes KFOR-it, gjë që e bën të pamundur skenarin e viteve ’90.
Sipas tij, Serbia po përballet me probleme të brendshme si rënia e natalitetit dhe emigrimi i të rinjve, prandaj shumica e qytetarëve nuk janë të interesuar për konflikte të reja. Ai shton se edhe në Kosovë, mobilizimi i diasporës në të kaluarën tregon kapacitetin për organizim në raste rreziku
Në fund, Hoxha vlerëson se retorika e luftës nuk duhet të krijojë panik, pasi situata e sigurisë është ndryshe dhe çdo përshkallëzim do të kishte pasoja të rënda për Serbinë, ndërsa rruga më e mirë për Kosovën mbetet forcimi i shtetit, ekonomisë dhe aleancave ndërkombëtare.
“Deklaratat se janë “të gatshëm të vazhdojnë luftën për Kosovën” janë shqetësuese dhe të papranueshme në Evropën e sotme. Historia e Ballkanit ka treguar se gjuha e urrejtjes dhe glorifikimi i luftës krijojnë tensione dhe pasiguri për të gjithë rajonin. Megjithatë, realiteti aktual është krejt ndryshe nga ai i viteve ’90. Kosova sot ka institucionet e veta shtetërore, forcat e sigurisë, mbështetjen e aleatëve perëndimorë dhe prezencën e NATO-s përmes KFOR.
Duhet theksuar gjithashtu se vetë Serbia po përballet me probleme serioze demografike dhe sociale. Nataliteti është në rënie të vazhdueshme, një pjesë e madhe e rinisë është larguar nga vendi për jetë dhe punë më të mirë në Perëndim, ndërsa edhe ideja për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak afatshkurtër nuk po mbështetet nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë. Kjo tregon se shumica e familjeve në Serbi nuk kanë interes për konflikte të reja dhe nuk dëshirojnë kthim në luftëra.
Nga ana tjetër, shpesh harrohet fakti se edhe gjatë viteve 1998–1999 një numër shumë i madh i mërgatës shqiptare iu përgjigj menjëherë mobilizimit dhe thirrjes për mbrojtjen e Kosovës. Kjo tregon se shqiptarët kanë kapacitet të madh organizimi dhe solidariteti kombëtar në momente rreziku.
Prandaj, kërcënimet politike apo retorika për luftë nuk duhet të prodhojnë panik te qytetarët e Kosovës. Përgjigjja më e mirë është forcimi i shtetit, institucioneve, ekonomisë, diplomacisë dhe bashkëpunimit me aleatët strategjikë. Në aspektin ushtarak dhe të sigurisë, situata sot është krejt tjetër nga ajo e viteve ’90 dhe çdo aventurë e mundshme ushtarake do të kishte pasoja të rënda për vetë Serbinë. Për këtë arsye, është vështirë të besohet se Serbia do të ndërmarrë hapa të tillë, sidomos duke pasur parasysh praninë dhe ndikimin e fuqishëm perëndimor në rajon” – përfundon ai.
