Lajme

Ish-prokurori zbulon si e kërcënoi Dritan Rexhepi se do e vriste: Më erdhi te shtëpia

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, ka treguar se si u kërcënua nga “baroni” shqiptar, Drian Rexhepi, pasi kërkoi dënimin e tij me 17 vite burg për dy tentativa vrasjesh në qytetin e Vlorës, mirëpo ai u dënua vetëm me dy vite heqje lirie.

Sipas ish-prokurorit, i cili tashmë ushtron profesionin e avokatit, pasi Rexhepi doli nga burgu e kërcënoi atë me eleminim fizik.

“Mbasi mbaroi hetimin dhe gjykimin, 2 vjet, ishte i pakënaqur që prokuroria kërkoi 17 vjet dhe e pa se mund të kishte një mundësi që të dilte, siç doli, dhe për këtë arsye pati një tentativë për të realizuar një eliminim fizik ndaj meje. Nuk u realizua, u bë hetimi. U kap nga policia, nuk u provua tentativa ndaj organeve të drejtësisë. Por dua të them se ishte një personazh kompleks për të cilën edhe atëherë edhe sot nuk është folur, që realizoi një grup të strukturuar dhe që investonte për të shpëtuar veten e tij dhe grupin e tij kriminal”, tha ish-prokurori.

Ylli Rakipi: Avokat, ju e keni hetuar dhe madje jeni kërcënuar prej tij me vrasje. Përse e keni hetuar ju?

Eugen Beçi: Ky person në vitin 2002-2003 kishte kryer dy tentativa vrasjeje në qytetin e Vlorës për të cilat ishte në kërkim. Në tentativën e parë, personi u plagos dhe shpëtoi. E shpallëm në kërkim. Nuk ishte zbuluar ende ngjarja e vitit 1999 se u zbulua me të dhëna dhe gjatë kohës që ishte në kërkim bëri një tjetër plagosje me tentivë vrasje dhe ne e arrestuam. Gjykata dhe sistemi dështoi ta dënonte. Unë kërkova 17 vite burg, ai u dënua vetëm 2 vite. Në momentin kur doli nga burgu pati një problem nga ana hetimore e realizoi, por e parandaloi policia.

Ylli Rakipi: Nuk e kuptoj, ti thua 17 vjet dhe u dënua me 2 vjet.

Eugen Beçi: Po prandaj erdhi te dera e shtëpisë ai.

Ylli Rakipi: Ç’do me thënë kjo punë? Të erdhi te dera ty?

Eugen Beçi: Po. Mbasi mbaroi hetimin dhe gjykimin, 2 vjet, ishte i pakënaqur që prokuroria kërkoi 17 vjet dhe e pa se mund të kishte një mundësi që të dilte, siç doli, dhe për këtë arsye pati një tentativë për të realizuar një eliminim fizik ndaj meje. Nuk u realizua, u bë hetimi. U kap nga policia, nuk u provua tentativa ndaj organeve të drejtësisë. Por dua të them se ishte një personazh kompleks për të cilën edhe atëherë edhe sot nuk është folur, që realizoi një grup të strukturuar dhe që investonte për të shpëtuar veten e tij dhe grupin e tij kriminal.

Shqiptari i shumëkërkuar Dritan Rexhepi u arrestua në 8 nëntor në periferi të Stambollit. Ai kishte hyrë në Turqi me pasaportë kolumbiane.

“Baroni” shqiptar  u kap si rezultat i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të disa vendeve partnere dhe Shqipërisë. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.