Lajme

Ish sekretari i PD nuk i “shpëton” kompanisë “One Albania”: Duan të më mbajnë peng

Si të mos mjaftonin hallet e përditshme që vendi ynë ofron, shqiptarët janë të detyruar të hasen çdo ditë edhe me parregullsitë e kompanisë telefonike “ONE ALBANIA”. Qindra denoncime të bëra, por asnjë reagim nga organet përkatëse.

Së fundmi, është Naim Lapardhaja i cili ka provuar qëndrimin abuzues të kësaj kompanie përmes punonjësve të saj. Nëpërmjet një postimi në facebook, ai tregon se si ka shkuar të ndërpresë kontratën siç e parashikon ligji, pas një viti shërbimi në këtë kompani.

Por, duke qenë se ata tentojnë të mbajnë peng çdo klient të tyrin, ish sekretarit të PD-së së Beratit i kanë nxjerrë 100 “kleçka” duke mos pranuar kërkesën e tij për shkëputjen e kontratës. Për diçka kaq banale, që në një shtet normal nuk duhet të kishte asnjë lloj ndikimi në jetë, Lapardhaja ndihet i pafuqishëm për të ndryshuar këtë realitet të vështirë

Në postimin e tij, në rrjetin social “Facebook”, Lapardhaja shkruante:

“KOMPANIA TELEFONIKE ONE – EDHE ARROGANTE, EDHE HILEQARE, EDHE VJEDHACAKE!

Në Shqipëri të vjedh shteti, të vjedh edhe privati.

Shteti të vjedh me arrogancën e ligjit, privati me arrogancën e procedurave.

Për shtetin nuk ke ku të ankohesh, sepse të qëndruarit gjatë në pushtet ka bërë që përfaqësuesit e tij të jenë të pandjeshëm dhe njerëzve t’u normalizohet e keqja, ndërsa me privatin është edhe më keq, sepse, duke pasur mbështetje si pasojë e korruptimit të institucioneve përgjegjëse, tregohen edhe më arrogantë dhe të akullt nga shqetësimet e njerëzve.

Ka me qindra dhe mijëra ankesa për kompaninë telefonike ONE.

Kam parë qytetarë të thjeshtë dhe deputetë që të ngrenë shqetësimet e tyre, por asnjë masë dhe reagim.

A ekziston AKEP-i në këtë vend?! A i marrin në konsideratë ankesat dhe shqetësimet e klientëve ndaj njërës prej kompanive më të mëdha telefonike në vend?!

Prej një javë po përpiqem të shkëpusë kontratën njëvjeçare me këtë kompani, mirëpo, edhe pse kam bërë të gjitha shlyerjet, procedurat dhe kam shkuar përditë pranë zyrave të tyre, sërish më zvarrisin, duke dashur të më mbajnë peng me patjetër, pavarësisht dëshirës sime.

Arroganca duket që te punonjësi më i thjeshtë i kompanisë e duke vijuar tek kujdesi i klientit me kontratë, të cilët, me sa kuptoj, janë instruktuar dhe udhëzuar për t’u sjell në mënyrë të poshtër dhe hileqare me klientët.

Përdorin një gjuhë të drunjtë, një arsyetim të mangët, një arrogancë në komunikim dhe sjellje saqë të lënë pa fjalë. Madje, të denatyrëzojnë.

Përgjigjet e tyre janë shpeshherë fyese për inteligjencën mesatare.

Vetëm në Shqipëri kompanitë telefonike të mbajnë peng, duke të zvarritur për të zgjidhur për një muaj atë që të kanë lidhur për një ditë.

Dhe kompania e telefonisë celulare ONE, me ç’duket, qenka kulmi i poshtërsisë, i  arrogancës, i hilesë dhe i vjedhjes me procedurë.

Të vjen ndot nga vetja kur sheh se sa i pafuqishëm je për një gjë kaq banale dhe kur e kupton se nuk ke asnjë mundësi për ta ndryshuar këtë realitet”.