Lajme

“Isha te terapia e djalit”/ Pas akuzave të Ramës, shqiptarët mbledhin 151 mijë dollarë për nënën dhe djalin me autizëm

Historia e një nëne dhe djalit të saj me autizëm, të cilët u prekën nga uji me piper i përdorur nga policia gjatë tensioneve pranë Parlamentit, ka shkaktuar reagime të shumta në publik.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë, ndërsa gruaja deklaroi se nuk kishte qenë pjesë e protestës, por po kthehej në shtëpi pasi kishte përfunduar terapinë e djalit.

“Isha duke ikur në shtëpi. Dua vetëm të iki në shtëpi, ata na hodhën piper në sy. Unë nuk isha atje, isha te terapia e djalit. Më hodhën piper në sy dhe ujë. Turp të kenë”, u shpreh ajo pas incidentit.

Megjithatë, gjatë një deklarate të bërë një ditë më pas, kryeministri Edi Rama akuzoi protestuesit se e kishin sjellë nënën dhe fëmijën pranë Parlamentit, duke i përdorur si viktima të situatës së krijuar.

Rama tha se gruaja dhe djali i saj ishin marrë pranë protestës nga persona që, sipas tij, synonin t’i përdornin për të akuzuar policinë. Kryeministri deklaroi gjithashtu se qeveria kishte dyfishuar mbështetjen për fëmijët me autizëm dhe nënat e tyre, por pranoi se përjetimi i kësaj gruaje tregonte një hendek mes masave të marra dhe ndjesisë së saj të vetmisë.

“Një histori që e keni parë të gjithë. Atë nënën me fëmijën në spektër autik, të cilën korbat e kishin marrë me vete te Parlamenti, për ta kthyer në viktimë të policisë. Ne sapo kemi dyfishuar mbështetjen për fëmijët autikë dhe për nënat e tyre. Përjetimi i asaj nëne është tjetër. Ajo mund të mos jetë e informuar, por nuk e ka ndjerë kurrë empatinë tonë në fundin e atij hendeku mes faktit tonë dhe përjetimit të vetmisë së saj dëshpëruese”, tha Rama.

Ai vijoi me akuza të forta ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë, duke pretenduar se gruaja ishte përdorur për qëllime politike dhe mediatike.

Nga ana tjetër, File Bulku i ka qëndruar versionit të dhënë menjëherë pas ngjarjes. Ajo ka përsëritur se nuk kishte marrë pjesë në protestë, por po kthehej nga terapia e djalit dhe po shkonte drejt shtëpisë.

Pamjet e nënës me të birin dhe rrëfimi i saj prekën shumë qytetarë. Nëpërmjet një fushate të hapur në platformën GoFundMe, brenda pak orësh u mblodhën rreth 151 mijë dollarë për të ndihmuar familjen.

Deklarata e kryeministrit u shpërnda edhe nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili publikoi videon e nënës me djalin dhe reagoi me gjuhë të ashpër ndaj Ramës.

“Dëgjojeni miq, ordiner dhe shpirt kërmë!”, shkroi Berisha krahas videos.

Të Ngjashme