Aktori i madh, Timo Flloko, ka zhvilluar një intervistë për emisionin “Opinion” ku foli mbi jetën, karrierën dhe pasionin për poezinë. Ndër to edhe historinë e dashurisë me Vera Grabockën, regjisoren e suksesshme. Flloko rrëfeu që nga njohja me Grabockën, kur ajo ishte studente e tij, e deri tek historia e tyre e fortë e dashurisë që vazhdon t’i bëjë bashkë pas kaq vitesh.
Blendi Fevziu: Si u njohe me Verën?
Timo Flloko: Fati… Ishim fare të rinj, unë e njoha në shkollë. Rastësia. Kjo duhet kuptuar që nëse unë nuk do të isha emëruar në Tiranë, se mund të ndodhte që të emërohesha në Vlorë, nuk do ta kisha njohur këtë vajzë të re, apo zonjë sot. Se e njoha e bankat e shkollës, ishte studentja ime. Ishte e veçantë edhe në atë kohë.
Blendi Fevziu: E veçantë në çfarë kuptimi?
Timo Flloko: E veçantë në dinamikë, në sjellje, në energji, në natyrë, në biseda.
Blendi Fevziu: Unë i kam thënë njëherë që me energjinë që ka mund të konkurronte 3 hidrocentralet që ka Shqipëria bashkë. Realisht. Po të ishte mundësi të tre hidrocentralet e mëdhenj që kemi..
Timo Flloko: Siç thotë dhe dhëndri im, nëse nuk do të ishte shpikur motori i Ferrarit, do ishte Vera. Vera ishte dashuri që aty ngeca, sepse unë besoj që nuk kam qenë djalë jo simpatik…
Blendi Fevziu: Ngece, apo s’të lëshoi vera?
Timo Flloko: Jo, ishte e dyanshme tërheqja. Biles do të thoja që ndonjëherë më dukej më shpërfillëse Vera, sesa unë. Ngeca. Dhe sa mirë, sepse në jetë njeriu ka nevojë për një mbështetje. Vera ka qenë mbështetje siç mbështetet një trup tek një lis kur është i lodhur, ashtu jam mbështetur gjithë jetën.
Blendi Fevziu: Dy personazhe shumë të njohur, dy personazhe shumë ambiciozë, dy personazhe që janë pak a shumë në të njëjtën fushe..
Timo Flloko: Vera ka një ndryshim, Vera është fenomen.
Blendi Fevziu: Ishte i vështirë ky…
Timo Flloko: Ne komunikojmë në mënyrë si artistë sigurisht… Vera gjithmonë jep mendime për një gjë. Ka intuitë, ka shqisën e gjashtë.
Blendi Fevziu: Ka qenë Vera kritikja e parë e jotja në fakt, e filmave?
Timo Flloko: Sigurisht që po.
Blendi Fevziu: Ishin të qenësishme kritikat e saj.
Timo Flloko: Absolutisht që po, ajo ka ndjesi, ka nuhatje.
Blendi Fevziu: Po a shkon drejt një perfeksioni që shpeshherë bëhet i lodhshëm, sepse njeriu…
Timo Flloko: Ndonjëherë Vera ka prirjen që të të çojë aty ku duhet… Për shembull, duhet të shkosh tek Blendi më tha mua, po shiko të dukesh mirë, flokët, këto… dhe e kërkon formën, sepse është lloji i artit, është televizioni. Në thelb nuk gabon kurrë. PR i saj në të folur është, ti e di vetë e njeh, në të folur nuk ia del, në të shkruar mund t’ia kaloj.
Blendi Fevziu: Po e vendosi një gjë, ka vetëm një zgjidhje t’ia pranosh, ose zgjidhja tjetër është t’ia pranosh prapë. Nuk ka zgjidhje tjetër.
Timo Flloko: Ajo kurrë nuk gabon, gjithmonë del fjala e saj. Në terma afatgjatë, Vera ka të drejtë./tvklan.al