Kolosi i letrave shqipe Ismail Kadare u përcoll për në banesën e fundit këtë të mërkurë. Në homazhet në nder të tij u bënë bashkë personalitete të ndryshme nga bota e artit, politikës e sferave të tjera, të cilët përkujtuan shkrimtarin kolosal.
Mes të tjerëve dy vajzat e shkrimtarit, Besiana dhe Gresa, mbajtën një fjalim në nder të të atit të tyre, teksa falënderuan të gjithë të pranishmit dhe ata që kanë shprehur ngushëllimet e tyre.
“Të dashur miq, faleminderit që keni ardhur sot. Jemi të gjithë shumë të prekur nga gjithë kjo dashuri, mesazhet e ngushëllimit, shumë ceremoni prekëse. Nuk do bëj ndonjë fjalim. E përfytyroj që thoshte një nga frazat e tij të preferuara: ‘do na lësh rehat tani, nuk dua’. E përfytyroj, është ngjitur, është si në një vorbull drite. E përfytyroj që është ngjitur si hyj në panteonin e gjenive të botës dhe na shikon. Një nga mënyrat për t’i bërë homazh është të lexojmë të gjithë përsëri veprat e tij. Faleminderit që keni ardhur sot”, tha Besiana.
Ndërkohë vajza tjetër, Gresa, u shpreh se i ati i ndjerë ishte i veçantë në gjithçka, “Të dashur miq, faleminderit për prezencën tuaj. Desha të them diçka të vogël. Ismaili ka qenë gjithnjë një baba ndryshe nga të gjithë etërit e shokëve e shoqeve të mia. Ishte krejt i veçantë si në gjithë gjërat e tjera dhe i bindej vetëm ligjeve të letërsisë.
Kurrë nuk më ka mërzitur për neglizhencat e mia për punët e shtëpisë, e plot e plot të tjera, por nuk m’i kursente sarkazmat për autorët që unë lexoja. Nga ana tjetër, entuziazmohej sa i gjeja ndonjë rrjesht për shembull nga përkthimi i Nolit, që ishte i goditur. Këtë filozofi, dora-dorës, ndoshta e kam adoptuar dhe vetë që nga fëmijëria”.
bal