Lajme

Islami kritikon deklaratat e Petkoviqit: Pretendon se po ushtrohet “terror institucional” ndaj serbëve

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka reaguar lidhur me deklaratat e fundit të drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke i cilësuar ato si përpjekje për të ndikuar në zhvillimet politike në Kosovë dhe në proceset zgjedhore.

Islami përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Petkoviq ka vazhduar me akuzat ndaj institucioneve të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, duke pretenduar se po ushtrohet “terror institucional” ndaj komunitetit serb, veçanërisht pas arrestimit të shtatë drejtuesve të institucioneve serbe.

“Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petković, ka vazhduar me reagimet e tij lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit. Ai ka akuzuar Kryeministrin Albin Kurti për, siç e quan ai, ‘terror institucional’ ndaj serbëve në Kosovë, veçanërisht pas arrestimit të shtatë drejtuesve të institucioneve serbe”, ka shkruar ai.

Islami tutje tha se Petkoviq përpiqet vazhdimisht ta paraqesë Listën Serbe si përfaqësuesen e vetme legjitime të komunitetit serb në Kosovë.

“Në të njëjtën kohë, ai ka intensifikuar sulmet politike ndaj Nenad Rashiq, të cilin e cilëson si bashkëpunëtor të Kurtit dhe tradhtar të interesave serbe. Kjo retorikë lidhet me faktin se Rashiq konsiderohet një sfidë politike për Listën Serbe, pasi ai përfaqëson një alternativë politike serbe që bashkëpunon me institucionet e Kosovës. Për pasojë, diskursi ndaj tij është bërë gjithnjë e më agresiv, me synimin për ta delegjitimuar para elektoratit serb”, ka shkruar Islami ndër të tjera në Facebook. 

Të Ngjashme