Faton Bislimi ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës Presidente e re e Kosovës, duke e uruar atë për detyrën e re dhe duke theksuar se Presidenca duhet të jetë mbi interesat partiake.
Bislimi, emri i të cilit ishte përmendur publikisht si një nga kandidatët e mundshëm për president, por që nuk u propozua zyrtarisht nga ndonjë parti politike, ka thënë se procesi për zgjedhjen e presidentit ishte i vështirë dhe i zgjatur.
“Dua t’i uroj nga zemra znj. Justina Shiroka-Pula detyrën e re dhe t’i dëshiroj shëndet, urtësi dhe suksese në ushtrimin e përgjegjësisë së saj të lartë kushtetuese. Presidenca është mbi çdo individ dhe mbi çdo parti; ajo është institucioni që duhet ta përfaqësojë unitetin e popullit dhe dinjitetin e Republikës”, ka shkruar Bislimi.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për ambasadorin William Walker dhe kongresistin Joe DioGuardi, të cilët publikisht e kishin mbështetur atë, duke thënë se besimi i tyre ndaj tij mbetet një nder i jashtëzakonshëm.
“Propozimi dhe besimi i tyre publik ndaj meje do të mbeten përjetë një testament politik dhe njerëzor që e çmoj mbi çdo funksion, mandat apo post”, është shprehur Bislimi.
Ai ka theksuar se angazhimi i tij për Kosovën nuk ka qenë i lidhur me marrjen e një posti shtetëror.
“Angazhimi im për Kosovën nuk ka filluar për ndonjë post, dhe nuk përfundon me të. Nuk kam punuar për Kosovën për ndonjë pozitë. Kam punuar për Kosovën sepse e kam ndier si detyrim të jetës sime”, ka deklaruar ai.
Bislimi ka përmendur edhe angazhimin e tij në Washington, ku, sipas tij, ka punuar për më shumë se dy dekada dhe ka ndërtuar marrëdhënie me figura nga të dyja anët e spektrit politik amerikan, duke mbrojtur interesat e Kosovës.
Në reagimin e tij, Bislimi ka lënë të hapur edhe mundësinë e një angazhimi të ri politik, duke thënë se Kosovës mund t’i duhet “një frymë e re politike”.
“Ndoshta ka ardhur koha që, përtej ndarjeve tradicionale, të ndërtojmë një alternativë që nuk pyet së pari se cilës parti i shërben Kosova, por pyet: Çfarë i shërben Kosovës?”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se do të vazhdojë të angazhohet për forcimin e lidhjes strategjike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara, vlerat e Luftës Çlirimtare, mbrojtjen e së vërtetës historike dhe orientimin euroatlantik të vendit.
“Unë do të vazhdoj të jem aty. Jo për një post, titull apo karrige. Por për Kosovën. Sepse për mua, Kosova nuk ka qenë kurrë një mundësi për karrierë. Ka qenë mision! Dhe misionet e jetës nuk përfundojnë me një angazhim!”, ka përfunduar Bislimi.
