Lajme

Izrali urdhëron evakuimin e spitalit në Gaza, do të sulmohet

Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe të dielën tha se Izraeli kërcënoi të bombardonte Spitalin Al-Quds në Gaza dhe kërkoi një “evakuim të menjëhershëm”.

Ne morëm “kërcënime serioze nga autoritetet okupuese për të evakuuar menjëherë Spitalin Al-Quds në Rripin e Gazës, pasi ai do të bombardohet”, tha organizata humanitare në X.

“Që nga mëngjesi i sotëm ka pasur bastisje 50 metra larg spitalit”.

Më herët, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari nuk përjashtoi mundësinë e sulmit ndaj spitalit Al-Shifa, kompleksi më i madh mjekësor në Rripin e Gazës. “Në këtë luftë, të gjitha opsionet janë në tryezë,” tha ai. Izraeli pretendon se objekti mjekësor vepron si selia kryesore e Hamasit.

Izraeli ka bombarduar rëndë Gazën që nga 7 tetori kur Hamasi kreu një sulm ndërkufitar dhe ka njoftuar “zgjerimin e operacioneve të tij”, duke kaluar në “fazën tjetër të luftës sonë kundër Hamasit”.

Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës tha se sulmet izraelite kishin vrarë të paktën 7,703 njerëz, kryesisht civilë dhe shumë prej tyre fëmijë.

2.3 milionë banorët e Gazës po përballen gjithashtu me mungesën e ushqimit, ujit, karburantit dhe ilaçeve për shkak të bllokadës së enklavës nga Izraeli. Vetëm disa kamionë me ndihma kanë kaluar në Gaza që nga hapja e pikës së kalimit Rafah fundjavën e kaluar.