Lajme

Ja cila është e vërteta për shkarkimin e ambasadorit në Vatikan

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka thënë se ende është në trajtim të çështjes së emërimit të anëtarit të dhjetë në KQZ.

Pas pretendimeve të LVV-së dhe PDK-së për këtë pozitë, Haxhiu e la të mundur mundësinë që KQZ të funksionojë edhe me dhjetë anëtarë.

Me 10 anëtarë në KQZ asgjë nuk rrezikohet

“Jam interesuar nëse kjo përbën problem për KQZ-në. Dje dëgjova se thanë që do të kontestohet procesi zgjedhor dhe kështu me radhë për shkak të një anëtari. Unë iu kam njoftuar se i kam dy kërkesa edhe të PDK-së dhe LVV-së për të emëruar anëtarin e fundit në komision. Për këtë çështje kam pasur mendim edhe më herët. Fuqia politike, proporcionaliteti, përfaqësimi janë parime që nuk duhet t’i mohojë askush. Duke qenë se kanë kaluar të gjitha afatet dhe ky proces është dashur të përmbyllet nga vetë presidentja Vjosa Osmani, por nuk ka ndodhur. Tani të gjitha afatet kanë kaluar dhe jam në trajtim të kësaj çështjeje dhe do të veproj në përputhje me përgjegjësitë. Por të jeni të sigurt, me 10 anëtarë në KQZ asgjë nuk rrezikohet, as certifikimi i partive dhe as certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve”, tha ajo.

Krahas kësaj, Haxhiu ka refuzuar ta quajë shkarkim lirimin nga detyra të shefit të Misionit në Vatikan, Vehbi Miftari. Ajo ka bërë të ditur se procedurat për largimin e tij kanë nisur më 2025.

Haxhiu ka thënë se i ka pranuar një numër të madh të lëndëve nga ish-presidentja Vjosa Osmani

Procedura për rastin Miftari, ka filluar në vitin 2025

“Unë nuk do ta quaja shkarkim. Çdo kthim nga misioni diplomatik nuk është shkarkim. Në diplomaci ka emërime, kthime, rotacion dhe ka nevojë që shërbimi i jashtëm të funksionojë sipas ligjit dhe nevojave të shtetit. Sa i përket zotit Miftarit, procedura për lirimin e tij ka filluar në vitin 2025. Unë kam trashëguar një numër të madh lëndësh në raport me këto çështje dhe aty ku gjithçka është në rregull me procedurat do t’i shtyj përpara. Në këtë drejtim janë bërë tetë emërime, tri lirime dhe dy riorganizime të misioneve konsullore”, shtoi Haxhiu.

Në anën tjetër, ushtruesja e detyrës së presidentit kërkoi nga Këshilli Prokurorial të shpallë konkursin e ri për pozitën e kryeprokurorit të shtetit, pasi sipas saj procesi i kaluar është i mbyllur.

KPK-ja të shpallë sa më shpejt konkursin për kryeprokuror

“Këshilli Prokurorial sa më shpejt duhet të shpallë konkursin, por duhet të sigurohet se procesi të mos jetë i kompromentuar siç ka qenë në të kaluarën. Asnjëherë nuk do të dekretohen persona që kalojnë përmes proceseve të kompromentuara apo të përgatitura paraprakisht siç ka qenë në të kaluarën”, tha ajo.

Këto komente ajo i bëri në konferencën për media të enjten pas caktimit të datës së zgjedhjeve të reja.

Të Ngjashme