Lajme

Java nis me reshje, përfundon me temperatura deri në 38 gradë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar parashikimin e motit për periudhën 27–31 korrik 2026, duke paralajmëruar një fillim jave me kushte të paqëndrueshme në disa zona, ndërsa nga mesi i javës pritet rritje graduale e temperaturave dhe mot kryesisht i kthjellët.

Sipas parashikimit, dita e hënë do të karakterizohet me mot me diell dhe vranësira lokale, të cilat gjatë ditës mund të sjellin reshje shiu, shkarkime rrufesh dhe në disa zona të izoluara edhe breshër. Temperaturat do të lëvizin nga 13 deri në 15 gradë Celsius në mëngjes, ndërsa maksimalet do të arrijnë 26 deri në 30 gradë.

Të martën moti do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara, me mundësi për reshje të izoluara, kryesisht në zonat malore. Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 32 gradë Celsius.

Nga e mërkura pritet stabilizim i motit, me mot kryesisht me diell dhe rritje graduale të temperaturave. Ndërkaq, të enjten dhe të premten vendi do të përfshihet nga një valë e të nxehtit, ku temperaturat maksimale do të arrijnë nga 36 deri në 38 gradë Celsius në disa pjesë të Kosovës.

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se, për shkak të temperaturave të larta pritet ngarkesë e shtuar termike, veçanërisht gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e gjatë në diell, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Po ashtu, indeksi UV do të jetë i lartë deri shumë i lartë gjatë ditëve me mot të kthjellët, ndaj rekomandohet përdorimi i kremrave mbrojtës dhe shmangia e ekspozimit në diell nga ora 11:00 deri në 16:00.

Të Ngjashme