ShowBizzz

Jehona Shaqiri dhe Robert Berisha ndriçojnë shpirtin kombëtar me “Ma e mira”

Në një frymë entuziazmi dhe krenarie, Jehona Shaqiri dhe Robert Berisha kanë publikuar këngën e tyre të re “Ma e mira”, një këngë për nder të Pavarësisë së Kosovës. Ky bashkëpunim artistik, që shënon një bashkim të energjive dhe talenteve të dy figurave të njohura të skenës shqiptare, ka sjellë një valë të freskët për publikun në një ditë kaq të rëndësishme kombëtare.

E frymëzuar nga dashuria për atdheun dhe ndjenjat e thella për vendin që e ka rritur, Jehona Shaqiri ka zbuluar se ideja për të krijuar një këngë në nder të Pavarësisë së Kosovës ka qenë spontane dhe ka egzistuar që prej kohësh në zemrën e saj. “Dëshira ka egzistuar gjithmonë për ‘Ma të miren’ që të ia themi këngës”, tregon ajo.

Bashkëpunimi mes Jehonës dhe Robertit është zhvilluar në mënyrë natyrale, pasi ata ndajnë një miqësi të hershme dhe një afinitet të ngjashëm muzikor.

“Ne jemi miq prej kohësh, dhe energjia jonë është në notat e njejta, si dhe karakteret i kemi shumë të ngjashme”, shprehet Jehona me një buzëqeshje, ndërsa shton: “Shpresojmë të transmetojmë edhe me juve këtë dinamikë”.

“Ma e mira” vjen me një mesazh të thjeshtë por të fuqishëm: “Jemi Një. Shqiponja na bashkon”. Këngëtarja përcjell ndjenjën e unitetit dhe forcës që simbolizon flamuri kombëtar, dhe përmes tekstit dhe melodisë dëshiron të zë një moment të veçantë që kap esencën e asaj për të cilën Kosova ka luftuar dhe feston.

Procesi i krijimit të një këngë me një temë kaq të rëndësishme ka qenë i mbushur me përgjegjësi dhe nder, diçka që Jehona e ka pritur me krahë të hapur. “Ndjehem e bekuar që i përkas një brezi që ka performuar shumë para luftës”, thotë ajo, duke shtuar se puna dhe kujdesi për çdo detaj në këngë është një përpjekje për të dhënë më të mirën për kombin.

Pas lansimit të këngës, reagimi i publikut ka qenë mbështetës dhe pozitiv. Jehona ndihet veçanërisht e lumtur që publiku ka përqafuar ndryshimin e saj në një stil më “rebel” dhe modern të rokut.