Drejtuesja e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka konfirmuar zyrtarisht largimin nga ky institucion. Ashtu siç ka paralajmëruar dy ditë më parë Newsbomb.al, Jeta Deda është larguar nga drejtimi i AKU-së, duke u shprehur se do të ndjekë një orientim tjetër profesional.
“Prej sot mbyll një kapitull të bukur të jetës time profesionale, duke u tërhequr nga detyra si Drejtore e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe duke ndjekur një orientim tjetër profesional. Ndahem nga një ekip, të cilin e falenderoj për çdo punë të mirë të kryer së bashku”, shkruan ajo.
Jeta Deda e konsideron nder shërbimin në detyrën e drejtueses së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe thotë se po bëhet gati për angazhime të reja në karrierë.
“Teksa bëhem gati për angazhime të reja, e shikoj kohën si Drejtore e Përgjithshme e AKU-së me mirënjohje të thellë për përvojën e marrë, dijet e përftuara dhe marrëdhëniet e mira të ngritura. Falenderime për mbështetjen dhe besimin gjatë këtij rrugëtimi! Ka qenë nder të shërbej në këtë detyrë”, vijon shënimi i saj.
Mesazhi i plotë i Jeta Dedës, deri më sot drejtuese e AKU-së:
Të nderuar miq e kolegë,
Prej sot mbyll një kapitull të bukur të jetës time profesionale, duke u tërhequr nga detyra si Drejtore e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe duke ndjekur një orientim tjetër profesional. Ndahem nga një ekip, të cilin e falenderoj për çdo punë të mirë të kryer së bashku.
Shpreh mirënjohjen e thellë ndaj Kryeministrit e Këshillit të Ministrave për besimin e dhënë dhe ish-Ministres Krifca dhe Ministres aktuale Denaj, me të cilat arrita të bashkëpunoj gjatë kësaj udhe.
Po ashtu, mirënjohëse ndaj stafit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për mundësinë e shërbimit në këtë detyrë, pasi mbështetja juaj e pakufi dhe bashkëpunimi kanë qenë kryefjala në gjithë rezultatet e arritura së bashku në lëmin e sigurisë ushqimore.
Një falenderim i veçantë i takon ekspertëve shumëvjeçarë në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Dedikimi dhe puna e tyre janë rregullatorët e sistemit dhe standardeve që duam të vendosim, në rrugëtimin drejt integrimit europian e kryesisht në shërbim të atdheut.
Nuk kam dyshim se kjo skuadër do të shkëlqejë me këdo menaxher që iu bashkohet.
Teksa bëhem gati për angazhime të reja, e shikoj kohën si Drejtore e Përgjithshme e AKU-së me mirënjohje të thellë për përvojën e marrë, dijet e përftuara dhe marrëdhëniet e mira të ngritura. Falenderime për mbështetjen dhe besimin gjatë këtij rrugëtimi! Ka qenë nder të shërbej në këtë detyrë.
Përzemërsisht,
Jeta