ShowBizzz

Jeta e Arbnora Ademajt në trekëndëshin Stamboll-Kosovë-Tiranë

Arbnora Ademaj ka jetuar një vit me shumë punë, angazhime, udhëtime dhe suksese.
Viti 2023 ishte brilant, si vetë ajo.

Ylli i kinematografisë turke, imazhi i numrit festiv të “Kosovares”, ndanë me lexuesit rrjedhën e 12 muajve të saj…
Përtej sharmit të pakrahasueshëm, shkëlqimit në ekran, fotove të mrekullueshme në “Instagram”, Arbnora Ademaj nuk ndalet së punuari dhe bën jetë aktive profesionale ndërmjet Stambollit, Kosovës dhe Tiranës.
Pra, jeta e saj është e lidhur ngushtë me këtë trekëndësh.

Janar
– Janari i vitit 2023 ishte thuajse i tëri festë për mua, meqë, më në fund, kisha mundësi të qëndroja më shumë me familjen time.
Pas shumë angazhimesh ndër vite, më në fund, vendosa të qëndroja pak më gjatë pranë më të dashurve në Katund të Ri.
Më kishte munguar jashtë mase familja dhe këtë kohë e kam shijuar maksimalisht pranë tyre.
Do ta kujtoj si një muaj tejet të bukur…

Shkurt
– Vazhdova me punë dhe angazhime në Turqi, filluan xhirimet e filmit që pritet të shfaqet së shpejti, meqë premiera e tij veç është bërë.
Ishte një muaj me shumë aktivitete, lodhje, por edhe atraksione.

Mars
– Gjatë këtij muaji, më tepër isha e fokusuar tek biznesi “Allure Beauty” në Tiranë, ku bashkë me partneret e mija jemi munduar të sjellim trendet e fundit sa i përket estetikës.
Jam shumë e lumtur për suksesin e deritanishëm, të arritur bashkërisht.

Prill
– Kam vazhduar sërish në Stamboll, për përgatitjet e një filmi tjetër.
Muaj i bukur, me punë, takime dhe plane të reja…
Më pëlqen prilli, meqë nuk është as shumë ftohtë e as shumë nxehtë. E kam shijuar…

Maj
– Majin e kam kaluar sa në Kosovë e sa në Stamboll, me punë dhe dinamika pak a shumë të zakonshme.
Nuk ishte nga ata muaj që të ngulfasin me punë.
Përgjithësisht, muaj i qetë dhe normal.

Qershor
– Filloi puna e vërtetë me orë të zgjatura, me shumë sete xhirimesh në lokacione të ndryshme.
Një përfshirje totale në punë, pa shumë kohë për gjëra të tjera, ndërkohë që i nxehti kishte marrë hov.

Korrik
– Në korrik vazhduan xhirimet e një filmi aksion-komedi në Brusë të Turqisë, me një produksion gjigant dhe me një kast aktorësh turq shumë të njohur.
Në këtë muaj kam përjetuar një nga eksperiencat e mija më të mira profesionale në Turqi.
Jam shumë e lumtur që kam arritur të jem pjesë e një projekti dhe kasti aq të madh…

Gusht
– Gushti ishte muaj lëvizjesh e pushimesh ndërmjet Italisë, Gjermanisë dhe bregdetit shqiptar.
Sepse, njeriu ka nevojë edhe për pak pushim e relaksim…

Shtator
– Isha kryesisht në Stamboll, duke u përgatitur për disa projekte të reja, gjithashtu në kontakt të vazhdueshëm me profesorë të aktrimit në Turqi, sepse, përveç xhirimeve, vazhdoj të ndjekë kurse aktrimi, meqë në çdo projekt dua të jem e shkëlqyeshme…

Tetor
– Punë, punë, punë…
Ndërkohë, mendjen e kisha edhe te një projekt i ri dhe interesant në Kosovë…

Nëntor
– Jam kthyer në Kosovë për një serial që do të realizohet.
I kam munguar skenës sonë, andaj me dëshirë dua të jem pjesë e një projekti shqiptar.

Dhjetor
– Muaji i energjisë së mirë, i një ndjenje të lehtësimit shpirtëror, pas një pune të gjatë e të suksesshme gjatë gjithë vitit.
Isha e inkuadruar në projekte prestigjioze në Turqi, një ëndërr kjo e bërë realitet pas shumë mundimeve, sakrificave e vuajtjeve.
Puna e pandalshme shpërblehet dhe kjo është e sigurt…
Në këtë muaj kam realizuar edhe setin e ri fotografik për Revistën “Kosovarja”, revistë e cila më ka qëndruar pranë në çdo hap timin.
Urime festa! Shëndet, begati e dashuri nga e juaja Arbnora!

Nderim Neziri