Lajme

Jetëgjatësia mesatare në Shqipëri arrin nivelin e parapandemisë me 79.1 vjeç

Jetëgjatësia në Shqipëri arriti 79,1 vjeç në vitin 2022 me një diferencë prej 1.5 vitesh me mesataren e BE-së, teksa vendi ynë renditet më mirë se e gjithë Europa Juglindore, sipas të dhënave të sotme të Eurostat.

Vendi ynë arriti të rikuperojë jetëgjatësinë që u ul gjatë pandemisë Covid-19, pasi në vitin 2022 treguesi arriti në nivelin e vitit 2019, teksa Europa ende nuk ka arritur jetëgjatësinë e vitit 2019. Në vitin 2022, jetëgjatësia në 27 vendet anëtare të BE-së ishte 80.6 vite nga 81,3 që ishte në vitin 2019.

Jetëgjatësinë më të lartë në lindje në BE e kishte Rajoni spanjoll i Comunidad de Madrid (85.2 vjet), i ndjekur nga Provincia Autonoma di Trento në Itali (84.4 vjet), Ile de France në Francë (84.1 vjet), Stokholmi në Suedi ( 84.0 vjeç), dhe Comunidad Foral de Navarra në Spanjë (83.9 vjeç).

Nga ana tjetër, midis 5 rajoneve të BE-së me jetëgjatësinë më të ulët në lindje, 4 rajone ishin në Bullgari: Severozapaden (72.3 vjet), Severen tsentralen (73.2 vjet), Yugoiztochen (73.7 vjet), Severoiztochen (74.1 vjet); dhe një në Hungari, Észak-Magyarország (74,1 vjeç).

Për gratë në BE, jetëgjatësia në lindje ishte 83.3 vjet në 2022 (rritje me 0.4 krahasuar me 2021, por më pak me -0.7 krahasuar me 2019) dhe për burrat në 77.9 vjet (një rritje 0.7 vjet krahasuar me 2021, por -0.6 rënie krahasuar me vitin 2019).

Në Shqipëri jetëgjatësia për gratë ishte 80,9 vjet dhe 77,4 vjet për burrat, me një diferencë 3,5 vite në vitin 2022.

Në vitin 2022, jetëgjatësia në lindje për gratë në BE ishte 5.4 vjet më e gjatë se ajo për burrat, me variacione midis vendeve të BE-së. Në Letoni, gratë pritej të jetonin 10.0 vjet më shumë se burrat, të ndjekura nga Estonia dhe Lituania (të dyja 8.7 vjet).

Hendeqet më të vogla gjinore ishin në Holandë (2.9 vjet), Irlandë (3.3 vjet) dhe Suedi (3.4 vjet).

Jetëgjatësia në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm që nga mesi i shekullit të kaluar deri më tani.

Shqiptarët e viteve 1950 jetonin mesatarisht vetëm 54.4 vite sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndërsa që nga ajo kohë deri në vitin 2022, jetëgjatësia u rrit me 45%.

Të dhënat historike mbi jetëgjatësinë në 70 vitet e fundit, tregojnë nëse përmirësimi më i madh ndodhi në dy dekadat e 1950-1970, ky tregues u rrit me 18 vite ose 33%.

Nga 54.4 vjeç, më 1950 jetëgjatësia mesatare në vitin 1970 arriti në 72.3 vite. Që nga ajo kohë, treguesi i jetëgjatësisë në vendin tonë është rritur me ritme të ulëta. Popullsia në Shqipëri ka ndryshuar gjatë 30 viteve të fundit.

Kjo vjen, veçanërisht, për shkak të ndryshimeve në sistemin ekonomik, duke kaluar nga ekonomia e centralizuar në një sistem të tregut të hapur i cili ka dhënë efektin e tij në lindje, vdekje, migracion, dhe sigurisht ka një ndikim në të ardhmen e popullsisë shqiptare. /Monitor.al

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo