Lajme

Jo vetëm në Tiranë, nis bojkotimi i mësimit edhe qytetet e tjera të vendit

Pas Tiranës, bojkotimi i mësimit ditën e sotme ka filluar edhe në qytetet e tjera të vendit.

Studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë nisur bojkotin e auditorëve, për t’u bashkuar në protestën e paralajmëruar prej tyre dhe në solidarizim me studentët e Tiranës.

Lëvizja ka nisur në kampusin universitar të Spitallës dhe është parashikuar të zhvendoset në qendër të qytetit, me marshimin drejt Bashkisë Durrës.I boshatisur ka qenë këtë mëngjes edhe Fakulteti i Bujqësisë në Korçë, ku pedagogët janë paraqitur në ambientet e fakultetit, por studentët kanë bojkotuar mësimin.

Mbi 80% e studentëve nuk janë paraqitur në auditorë në shenjë mbështetjeje për protestën e zhvilluar në Tiranë.

Ndërkohë studentë dhe nxënës të gjimnazeve në Korçë kanë paralajmëruar edhe një protestë e cila pritet të mbahet rreth orës 11:00 në qendër të qytetit.

Ndërkohë studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër kanë bojkotuar gjithashtu mësimin dhe kanë dalë në protestë, duke iu bashkuar reagimeve të studentëve pas ngjarjeve të fundit.

Të Ngjashme