Edicioni i pestë i “Big Brother VIP Kosova” pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në drejtimin e spektaklit dhe në panelin e opinionistëve.
Ndërsa përgatitjet për sezonin e ri vijojnë, në media kanë nisur të qarkullojnë emrat e personazheve të njohur shqiptarë që mund t’i bashkohen formatit.
Sipas burimeve të VIP Magazine, aktorja dhe moderatorja Rudina Dembacaj pritet të jetë një nga opinionistet e këtij edicioni.
Nëse informacioni konfirmohet, ky do të jetë një angazhim i ri televiziv për Dembacajn, e cila ka qenë pjesë e projekteve të ndryshme në ekranin shqiptar.
Por Rudina nuk është emri i vetëm që po diskutohet për panelin. Sipas të njëjtit burim, edhe Shqipe Hysenaj është mes personazheve që mund të marrin rolin e opinionistes, megjithëse përfshirja e saj mbetet ende e pakonfirmuar.
Ndërkohë, një tjetër ndryshim i mundshëm lidhet me moderimin e spektaklit. Bora Zemani, Sara Kolami dhe Xheneta Fetahu janë tre emrat që, sipas raportimeve, po diskutohen për drejtimin e edicionit të pestë.
Emri i Bora Zemanit është përmendur edhe më herët nga gazetari Elton Tozaj, i cili gjatë një deklarate në emisionin “Radar” u shpreh se përfshirja e moderatores në “Big Brother VIP Kosova 5” ishte pothuajse zyrtare.
Megjithatë, raportimi i fundit i VIP Magazine lë të kuptohet se gara për moderimin mbetet ende e hapur dhe se nuk është marrë një vendim përfundimtar që të jetë bërë publik.
Për momentin, produksioni i “Big Brother VIP Kosova” nuk ka konfirmuar zyrtarisht as përbërjen e panelit të opinionistëve dhe as emrin e moderatores që do të drejtojë sezonin e ri.
