Mitropoliti i Malit të Zi dhe Bregdetit, Joanikije, në fjalimin e mbajtur pas liturgjisë në Manastirin e Graçanicës, politizoi duke pretenduar se Kosova është “vatër e përbashkët e popullit serb, si në aspektin shpirtëror, ashtu edhe historik”, dhe se kjo duhet të jetë një amanet për të gjithë që të kultivojnë dashurinë për Kosovën, faltoret e saj dhe, veçanërisht, për popullin e kryqëzuar.
Derisa foli për Vidovdanin, ai pretendoi se për Betejën e Kosovës ishte populli serb që u përball me ushtrinë osmane, duke mohuar kontributin e popujve të Ballkanit.
“Duke grumbulluar shumë virtyte në shpirtin e tij, ai kishte autoritetin për t’i bashkuar edhe fisnikët serbë, të cilët ishte e vështirë të bashkoheshin si në të kaluarën, ashtu edhe në kohët e sotme. Por, Princi Lazar kishte autoritet si njeri plot virtyte dhe dashuri, duke bashkuar fisnikët dhe mbarë popullin. Ai pati guximin dhe forcën t’i kundërvihej armikut të urryer, pushtuesit që përparonte pandalshëm si stuhi. Askush nuk mund ta ndalte derisa arriti në Fushën e Kosovës, në fushëbetejën e përgjakshme, ku e priti Shën Princi Lazar me ushtrinë e tij. Princi u flijua dhe nuk lejoi që pushtuesi i urryer ta shkelte Serbinë si vendet e tjera. Ai dha jetën, së bashku me heronjtë, për kryqin e shenjtë dhe lirinë e artë”, tha ai mes tjerash, duke ushqyer narrativën serbe për Betejën e Kosovës.
