ShowBizzz

Joe Biden, strategjia e daljes

Ai po mendon nëse duhet të largohet. E shkruajti fillimisht New York Times dhe më pas e konfirmoi CNN, sipas të cilit Presidenti Biden u tha aleatëve të ngushtë se ai po vlerëson nëse mund ta shpëtojë fushatën e tij të rizgjedhjes, apo nëse ka ardhur koha për të bërë një hap prapa. Për të mirën e Amerikës, e cila duhet të jetë para interesit të tij, përballë rreziqeve që një rikthim i Donald Trumpit do të sillte për vetë mbijetesën e demokracisë në Shtetet e Bashkuara. Shtëpia e Bardhë dhe fushata elektorale e mohojnë: “Është e pavërtetë”. Por nënpresidentja Kamala Harris do të ishte zëvendësuesja e natyrshme, megjithëse nuk mungojnë ata që kërkojnë rihapjen e procesit të emërimit, për të lejuar kandidatët e tjerë.

Shenjat e para se diga mbrojtëse e Bidenit po plasaritej erdhën të martën, kur kongresmeni demokrat nga Teksasi Lloyd Dogett theu heshtjen e kolegëve, duke i kërkuar atij të jepte dorëheqjen nga kandidimi. Kryetarja Emeritus Nancy Pelosi tha se ishte legjitime të ngriheshin pyetje në lidhje me kushtet shëndetësore të presidentit, ndërsa kongresmeni i Karolinës së Jugut William Clyburn, i cili e lançoi presidentin drejt Shtëpisë së Bardhë katër vjet më parë, komentoi se në rast të tërheqjes, ai do të mbështeste zvpresidenten.

Edhe ish-presidenti Obama ka shprehur privatisht shqetësimet që ish-këshilltarët e tij, nga Ben Rhodes te Jon Favreau, i kanë shprehur publikisht, duke pranuar se debati katastrofik në Atlanta mund të ketë komprometuar garën. Sipas CNN, të paktën 25 deputetë do të ishin gati të dilnin hapur, nëse Joe nuk bën një hap prapa brenda një jave, ndërsa New York Times zbuloi se momentet e vështirësive konjitive të presidentit, janë shumë më të shpeshta nga sa dimë.

Ndërkohë, financierët janë ankuar te lideri i mbledhjes së fondeve elektorale, guruja i Hollivudit, Jeffrey Katzenberg, duke kërcënuar se do të mbyllin rubinetat nëse nuk jepen përgjigje të qarta, ndërkohë që edhe sondazhet kanë filluar të përkeqësohen. Reuters e vendos Biden në të njëjtin nivel me Trump, të dy me 40% në nivel kombëtar, por nënvizon se Michelle Obama do të bënte shumë më mirë se ai, duke fituar 50% me 39%. CBS është më e pamëshirshme, sepse e sheh Donaldin përpara në të gjithë vendin, 50% me 48%, por edhe më mirë në shtetet kyçe, 51% me 48%. Në fund të ditës erdhi konstatimi alarmant i New York Times, sipas të cilës Trump kaloi përpara me 49% kundrejt 43%, ndërsa 74% e amerikanëve e konsiderojnë kreun e Shtëpisë së Bardhë shumë të moshuar për të vazhduar udhëheqjen e vendit.

Përballë kësaj rënieje të mbështetjes, sipas gazetës, Biden i ka thënë në mirëbesim një aleati të ngushtë se po shqyrton nëse do të vazhdojë apo jo fushatën dhe ditët e ardhshme do të jenë vendimtare. E rëndësishme do të jetë intervista që ai do të regjistrojë me George Stefanopulos të ABC-së, mitingjet e fundjavës në Wisconsin dhe Pensilvani dhe konferenca për shtyp në skajet e samitit të NATO-s javën e ardhshme.

Dje presidenti u përpoq të konsolidonte pozicionin e tij, duke ngrënë drekë me zëvendësen Kamala Harris dhe duke zhvilluar dy telefonata me stafin e fushatës dhe të Shtëpisë së Bardhë. Pasdite ai priti guvernatorët demokratë, mes të cilëve kishte shumë zëvendësues të mundshëm, si ai i Kalifornisë Newson, Whitmer i Michiganit, Pritzker i Illinoisit, Shapiro i Pensilvanisë, Moore i Marylandit, Beshear i Kentakit. Qëllimi ishte t’i bindte që të mos e braktisin, por edhe të maste pulsin për dezertime të mundshme. E njëjta gjë vlen edhe për bisedën që bëri me drejtuesit e parlamentit.

Shumë kandidatë të mundshëm heshtin – dhe Harris betohet për besnikërinë e saj – sepse ata nuk duan të digjen dhe ndoshta do të preferonin të kandidojnë në vitin 2028, kur Trump do të detyrohet nga Kushtetuta të tërhiqet, duke supozuar se ai do e respektojë. Por në prapaskenë, shqetësimi po rritet dhe jo të gjithë duket se janë të gatshëm të dorëzohen para rrezikut të kthimit të Shtëpisë së Bardhë tek Donaldi.

Nuk është rastësi që rivali republikan dhe fushata e tij kanë heshtur deri tani. Menaxheri Chris LaCivita tha në Atlanta se ata ishin të gatshëm për çdo eventualitet, por sipas Washington Post ata janë të shqetësuar për mundësinë e tërheqjes së Bidenit, sepse kjo do t’i detyronte të ndryshonin strategjinë. Ardhja e një kundërshtari më të ri do të vinte në pah më pas ndryshimin e gjeneratës. Dhe kjo do të fokusonte vëmendjen tek mosha e Trumpit, duke e bërë atë një problem.

Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, presidenti “pati një mbrëmje të keqe në Atlanta për shkak të një të ftohti dhe lodhjeje nga udhëtimet në Francë dhe Itali”. Më pas, “ai personalisht mohoi se po mendon të tërhiqet”. Ai i përsëriti stafit: “Unë nuk po largohem. Do të garoj deri në fund”. Por ndoshta nuk varet më vetëm prej tij. / La repubblica – Bota.al