ShowBizzz

Jonida Bojaxhiu: E surprizuar për çmimin e interiorit nga BIG SEE!

BIG SEE, kompania ndërkombëtare, që merr në konsideratë zhvillimet arkitekturore dhe të interiorit, ka vlerësuar pak ditë më parë me çmimin për interiorin më të mirë, BIG SEE Interior Design Award 2024, studion shqiptare Arredim.al për interiorin e butikut “Pinko”, në stadiumin “Air Albania” (https://bigsee.eu/pinko-store/ ). Themeluesja dhe drejtoresha kreative e Arredim.al, Jonida Bojaxhiu, tregon për “Bordo” eksperiencën dhe kënaqësinë e falurnga ky vlerësim, i cili hap tashmë një dritare të re për të aspiruar botën!  

Jonida Bojaxhiu: E surprizuar për çmimin e interiorit nga BIG SEE!

Jonida, përshëndetje. Pas vitesh që ndjekim me kënaqësi punët e njëra-tjetrës, tashmë në një intervistë për BORDO. Arsyeja e intervistës është vlerësimi që ju keni marrë nga BIG SEE, për projektin tuaj të butikut “Pinko”, në “Air Albania”, si një nga më të mirët e Europës Juglindore. Si erdhi ky çmim? 

Përshëndetje Ilda! Të falenderoj, që na bëre pjesë të BORDO. BIG SEE synon të shërbej si një trampolinë në arenën globale për një gjeneratë të përgjegjshme dhe Bio Inteligjente. Ky event bashkon profesionistë dhe entuziastë  nga e gjithë bota, për të festuar inovacionin dhe përsosmërinë në industri. Këtë vit eventi më i madh europian i ndarjes së çmimeve në arkitekturë vjen me një çmim të rëndësishëm në Shqipëri, atë të kategorisë retail me butikun e brandit italian “Pinko” dizenjuar nga Arredim.al. Në këtë event morën pjesë studio dhe arkitekte të ndryshëm nga 21 shtete, të cilët prezantuan punët e tyre dhe më të mirët spikatën, duke u vlerësuar për arritjet në arkitekturë dhe dizajn të brendshëm. 

Jonida Bojaxhiu: E surprizuar për çmimin e interiorit nga BIG SEE!

Çfarë vlere ka ky çmim për ju?  

Për ne është hera e parë që marrim pjesë në këtë event dhe fillimisht nuk i kushtuam rëndësi emaileve, pasi vëmendja ishte e përqendruar në vrullin e madh të punëve që kishim në ato momente. Por këmbëngulja e organizatorëve të këtij eventi, na bindi për t’i kushtuar rëndësinë që realisht meritonte kjo ftesë. Ky çmim është tepër i rëndësishëm, jo vetëm për ne, por edhe për vendin tonë, pasi shpreh një vëmendje të veçantë, që po i kushtohet Shqipërisë nga e gjithë Europa. Realisht në Shqipëri ka arkitektë të aftë dhe bëhet një punë shumë e mirë në interior, dhe mendoj se pjesëmarrja në evente të tilla, do ta rriste edhe më tepër cilësinë dhe konkurrencën konstruktive. 

A përkthehet në sukses dhe më tepër vëmendje ky çmim, apo është më shumë një ngacmim për të rritur ambicien tuaj? 

Projektet e studios kanë lënë gjurmë në Tiranë, ku mund të përmendim “Arteg”, i cili vjen për herë të parë me një ‘flagship store’, në një sipërfaqe të konsiderueshme prej 728m2 në qendrën “Toptani”. Gjithashtu, një vëmendje të veçantë ka marrë edhe “Sana Glam Center”, një qendër estetike elitare prej 300 m2, e cila spikati me konceptin e saj, e arreduar me brandet prestigjioze italiane të salloneve më të mëdha botërore. Por, projektet tona shpesh herë i kalojnë kufijtë e vendit, pasi numërojmë një numër të konsiderueshëm projektesh, si në vendet europiane, në Amerikë, po ashtu edhe në Lindjen e Mesme. Projektet internacionale kanë qenë të tipologjive të ndryshme si vila rezidenciale, apartamente, restorante, dyqane dhe zyra. Një vlerësim si çmimi europian në BIGSEE Architecture, na bën edhe më konfident për t’u zgjeruar më tej në tregun ndërkombëtar. 

Fusha e arkitekturës ka patur një vëmendje të madhe vitet e fundit, ju vetë si ja keni dalë të identifikoheni në këtë treg? 

Puna e mirë vlerësohet gjithmonë. Suksesi jonë është qartësia se cili është klienti që i shërbejmë, dhe përkushtimi për t’i dhënë më të mirën. Si treg i vogël që është vendi ynë, çdo biznes mundohet t’i shërbej çdo klienti, ndërsa strategjia e Arredim.al ka qenë të përzgjedh klientin dhe tipologjinë e projekteve, në të cilat mund të përkushtohej për të dhënë vlerën e shtuar. Mendoj se kjo strategji dhe dëshira për t’u edukuar për të sjellë risitë e fundit në projektet tona, ka bërë që të fitojmë besimin në treg dhe të identifikohemi bindshëm. 

Çfarë projektesh keni në dorë aktualisht? 

Aktualisht jemi duke punuar për disa projekte ambicioze brenda dhe jashtë vendit, të cilat shumë shpejt do të jenë të prekshme ndërsa disa prej tyre dhe të aksesueshme për publikun. 
Cili është ai projekt që ju josh në Tiranë, ku do të donit të vendosnit mendjen dhe dorën tuaj? 
Një rëndësi të veçantë gjatë projektimit, i kushtojmë funksionalitetit dhe përzgjedhjes së materialeve. Pasi përpos një dizajni estetik, hapësira duhet të jetohet dhe duhet të ndikoj pozitivisht në gjendjen tonë emocionale dhe fizike. Shpeshherë nga investitorët buxhetohet në vlera të ulëta, për parametrat e mjedisit të brendshëm dhe më tepër rëndësi i kushtohet dizajnit të dukshëm, por në afatgjatë këto parametra kanë një ndikim të madh në shëndetin e përgjithshëm. Ai projekt, në të cilin do të përfshihesha me shumë kënaqësi, pavarësisht tipologjisë, do të ishte realizimi i interioreve me fokus investimi në parametrat e mjedisit të brendshëm. Në të cilin do t’i kushtohej një vëmendje e veçantë parametrave teknik, si; kualiteti i ajrit, akustika, komforti termik dhe vizual, me qëllim kryesor mirëqenien e njeriut në mjedisin e brendshëm. Si pasojë e një praktike të tillë afatgjatë, do të sillte që tregu në vendin tonë, të përqendrohej në materiale më cilësore, të çertifikuara dhe do të rriste standardin e mirëqenies. 
 
 



bal