Lajme

Ka nisur numërimi i votave për deputetë në 15 qendra komunale, pritet të fillojë edhe në 23 të tjera

Ka nisur sot verifikimi dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, njoftoi zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai mbajti një konferencë për media, ku përmendi komunat ku sot ka nisur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe tha se në 23 komuna të tjera pritet të fillojë sot më vonë.

Elezi tha se verifikimi dhe numërimi ka filluar sot në Qendrat Komunale të Numërimit në 15 komuna: Leposaviq, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut.

Elezi tha se “do të punohet në dy orare” në numërimin e votave dhe se për këtë proces “do të angazhohen më shumë se 2200 anëtarë në kuadër në kuadër të 508 ekipeve të numërimit”.

“Numërimi i votave të kandidatëve dhe verifikimi i rezultateve do të bëhet duke ofruar transparencë të plotë dhe në platformën e rezultateve të KQZ-së do të publikohen këto të dhëna në mënyrë progresive vendvotim pas vendvotimi”, tha ai.

Përfundimi i procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nuk do të bëhet në të njëjtën ditë në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit, tha ai, “sepse kjo varet nga numri i vendvotimeve dhe ekipet numësuese që janë në një QNK të caktuar”.

Të Ngjashme