ShowBizzz

Kaltra Meço: 16-vjeçarja që prek Lojërat Olimpike

Kaltra Meço është sportistja më e re që përfaqëson Shqipërinë në kompeticionin e rëndësishëm Lojërat Olimpike 2024, që këtë vit mbahen në Paris. E ka nisur notin në moshën pesëvjeçare e që atëherë, Kaltra i ka dedikuar këtij sporti vite me radhë stërvitjesh intensive, ndërsa sot vetëm 16 vjeçe ajo është olimpistja më e re shqiptare që garon me ambicien për të sjellë në Shqipëri një trofe.

Kaltra, një 16-vjeçare që merr pjesë në një garë tejet ambicioze si ajo e Lojërave Olimpike. Si ndihesh?

Të marrësh pjesë në Lojërat Olimpike është ëndrra e çdo sportisti dhe sigurisht ka qenë dhe ëndrra ime, që kur e nisa këtë sport. Ndihem shumë e emocionuar dhe e lumtur me këtë arritje të madhe. Shpresoj dhe uroj më të mirën për veten dhe për sportistët e tjerë që përfaqësojnë Shqipërinë në këtë garë.

Si e prite këtë ftesë?

Unë isha përgatitur shumë për t’u kualifikuar në këtë garë, por asgjë nuk ishte e sigurt. Kur bëra garën e fundit e cila më siguroi vendin tim në olimpiadë, ndjeva që lodhja e gjithë atyre viteve me stërvitje intensive pa pushim mu shpërblye.

Çfarë pritshmërish ke për këtë garë?

Pritshmëritë e mia për këtë garë janë të dal në top 3 në baterinë time dhe të thyej rekordin kombëtar shqiptar.

Kaltra, në çfarë moshe e ke mësuar notin dhe kush ta ka mësuar?

Unë e kam nisur notin në moshën pesëvjeçare, pra kam rreth 11 vite që merrem me këtë sport. E nisa duke parë vëllain tim, pasi ai ka qenë notar gjithashtu, dhe vazhdova edhe unë në hapat e tij. Duket se është një sport i trashëguar në familjen tonë dhe do të doja shumë që të vazhdonte kështu.

Po në mënyrë profesionale?

Trajneri im i parë ka qenë Mario Koxhaku, me të cilin kam mësuar bazat e notit.  Më pas gjatë gjithë fëmijërisë sime më ka stërvitur profesori Sadik Mema, por doja të thosha se një meritë shumë të madhe e ka dhe babai im, sepse dhe ai më ka  stërvitur dhe ka qenë ndihma më e madhe për mua. Profesori im aktual është Arian Fetishaj që me punën e tij të përkushtuar, bëri që unë të arrij të kualifikohem në Olimpiadë.

Kaltra Meço: 16-vjeçarja që prek Lojërat Olimpike

Sa intensive ka qenë përgatitja në ditët para se të niseni për në Francë?

Stërvitja ishte shumë e fortë disa ditë para se të niseshim sepse ishte mundësia e fundit për të përmirësuar diçka më shumë, por dalëngadalë duhet patur parasysh që ritmi i stërvitjes ulët që në garë të jesh në formën më të mirë.

Po për ushqimin si kujdeset një notare, çfarë konsumon gjatë ditës?

Me ushqimin duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi duhet të marrim sasinë e duhur të karbohidrateve dhe proteinës që ne harxhojmë gjatë seancës stërvitore, duket mos shtuar peshë. Duhet të mbajmë një peshë konstante dhe shpesh edhe të dobësohemi për t’u ndjerë më të lirë në ujë. Por dieta jonë është e pasur me të gjitha llojet e ushqimeve, çdhe e ndarë në vakte të vogla shumë herë në ditë.

E sheh notin si profesionin e së ardhmes, apo do ta ruash si pasion?

Noti tashmë është bërë pjesë e jetës sime dhe personalitetit tim, duke mos e ndarë dot nga vetja. Por si një profesion në të ardhmen do të ishte pak e pamundur, sepse nuk është një sport fitimprurës. Përsa i përket pasionit për notin mendoj se do të vazhdojë dhe shumë vite të tjera, me siguri gjithë jetën.

Kush është mbështetësi yt më i madh në këtë sport?

Mbështetësi im më i madh është padyshim babai im, i cili më ka mbështetur dhe ka pasur besim tek unë që në momentet e para që kam nisur notin. Ai është kthyer në trajnerin tim, duke lënë çdo lloj pune tjetër pas dhe duke më patur mua prioritet kryesor. Dëshira më e madhe e babait tim ka qenë që unë të merrja pjesë në Lojërat Olimpike dhe sigurisht kjo ishte një arsye shtesë për mua, që të stërvitesha më fort për t’ia arritur. Jam shumë e lumtur që ja plotësova dëshirën, për të cilën bashkë me mua është lodhur kaq shumë.

Pasi të përfundosh gjimnazin, për çfarë ke dëshirë t’i nisësh studimet e larta?

Unë i jap shumë prioritet shkollës dhe pse ndonjëherë është e vështirë nga ngarkesa e madhe e notit. Dëshira ime është të studioj për arkitekturë në Universitetin e Oxford, por kam dhe pak kohë deri atëherë.

 

 

 



bal