Lajme

“Kam gruan sëmurë dhe tre fëmijë të mitur”, Ulian Shpataraku nuk ia del të bindë Apelin e Posaçëm, merret vendimi

Ulian Shpataraku, një ish-drejtues i lartë i Policisë, i cili u arrestua në drejtimin e mjetit ku udhëtonte, Ergys Agasi, në 26 gusht 2026, ka kërkuar në Gjykatën e Apelit të Posaçëm zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë të lehtë sigurie për shkak të kushteve familjare.

Dy argumentet e tij që lidheshin me familjen i kishte shoqëruar edhe me një raport mjekësor që specifikonte se bashkëshortja e Shpatarakut ishte e sëmurë dhe kësisoj ajo nuk mund të rriste e vetme të tre fëmijët e tyre të mitur.

“Shpataraku është babai i tre fëmijëve të mitur dhe bashkëshortja e tij është e sëmurë dhe është e pamundur të përkujdeset për to e vetme, duke sjellë masa e sigurimit “arrest në burg” sakaq tek kjo familje pasoja të rënda, vërtetuar këto edhe nga Raporti Mjekësor…”, theksuan avokatët e ish-zyrtarit të policisë.

Krahas situatës familjare një tjetër argument që ka parashtruar mbrojtja e tij ka të bëjë me faktin se sipas tyre Shpataraku nuk ka asnjë mundësi të ndikojë tek provat, përderisa janë administruar nga SPAK. Në vijim u ndalën sërish tek ai dhe familja duke theksuar se kanë sjellje shembullore në komunitet.

“Shpataraku është oficer i lartë në Policinë e Shtetit dhe ka karrierë të gjatë në polici. Ai dhe familja e tij ka sjellje shembullore në komunitet, duke pasur parasysh edhe vërtetimin e datës 28.08.2026 e Njësisë Administrative nr. 5 Tiranë”, argumentuan mbrojtësit ligjorë.

Pasi dëgjoi palën mbrojtëse Gjykata rrëzoi argumentet e tyre duke lënë në fuqi arrestin në burg.

Të Ngjashme