Lajme

Kamberi thotë se një bankë në Serbi po i refuzon donacionet nga Kosova për shqiptarët

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se banka HalkBank në Serbi, po i refuzon donacionet që vijnë nga Kosova për Këshillin Kombëtar Shqiptar pa asnjë arsyetim. 

Ai ka thënë se kjo është përpjekje për të izoluar institucionalisht shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të penguar lidhjet e tyre me Kosovën.

Kamberi në një reagim në Facebook, ka thënë se për këto bllokime financiare nga kjo bankë janë informuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë dhe sipas tij Evropa po hesht kur po shkelen të drejtat e pakicave të cilat janë themel i arkitekturës së BE-së.

Kamberi ka thënë se për këtë po hesht edhe ambasada turke ndonëse është institucion financiar i lidhur me të.

“Heshtja përballë kësaj padrejtësie nuk është neutralitet; ajo shndërrohet në bashkëfajësi dhe i jep hapësirë vazhdimit të diskriminimit. Të drejtat e pakicave janë themeli i arkitekturës së Bashkimit Evropian, ndërsa Evropa hesht kur shkelen parimet e saj themelore. Pse heshtin BE, OSBE, KE dhe ambasadat perëndimore? Dhe, mbi të gjitha, pse hesht ambasada turke duke lejuar që një institucion financiar i lidhur me të bëhet pjesë e një mekanizmi diskriminues ndaj pakicës shqiptare?”, ka shkruar mes tjerash Kamberi.

Kamberi ka thënë gjithashtu se ndër kategoritë më të prekura janë nxënësit, studentët, mediat, shoqëria civile, bujqit, si dhe organizatat që punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta.

Të Ngjashme