Lajme

Kancelari gjerman kërkon që Evropa të prodhojë më shumë armë

Ndërsa Evropa lufton për të furnizuar Ukrainën me municion, gjigandi gjerman “Rheinmetall” po bën një investim afatgjatë, duke ndërtuar një fabrikë të re predhash dhe artilerie me synim dhjetëfishimin e prodhimit.

Fabrika e re e municioneve dhe predhave do të ndërtohet në kompleksin më të madh të industrisë së mbrojtjes të vendit në Uderlis, Gjermani veriore.

Ditën e djeshme kancelari gjerman Olaf Scholz shkon në Uderlis për të parë nga afër ecurinë e punimeve. Mediat gjermane raportojnë se qëllim i ndërtimit të fabrikës së re është që të prodhojë 200 mijë predha në vit.

Sipas kancelarit gjerman, ndërtimi i fabrikës për municione dhe predha është një “sinjal” për qytetarët evropianë, të cilët thirren të forcojnë bazën industriale mbrojtëse në Evropë, duke vënë theksin tek porositë e grupuara, veçanërisht ato afatgjata.

“Ne duhet… t’i drejtohemi prodhimit të armëve në një shkallë të gjerë,” citohet të ketë thënë Olaf Scholz. Pavarësisht miliarda eurove të alokuara për dërgimin e armëve nga vendet e BE-së në Ukrainë pasi ushtria ruse pushtoi territorin e saj, shtetet anëtare janë ende larg arritjes së një kapaciteti prodhimi të mjaftueshëm për ta mbajtur Ukrainën të furnizuar me armë.

Është një “nevojë urgjente. Sado i ashpër të jetë ky realitet, ne nuk jetojmë në një kohë paqeje”, theksoi kancelari Scholz, i cili denoncoi edhe një herë ato që i konsideronte “ambiciet perandorake” të presidentit rus Vladimir Putin, duke i quajtur një “kërcënim të madh”.

Kancelari gjerman tha se duhet të ketë bashkëpunim “më të ngushtë” industrial të 27-ve, të BE-së për industrinë e mbrojtjes”. “Një mbrojtje e fortë kërkon një bazë solide industriale. Kjo do të ndodhë nëse ne, evropianët, konsolidojmë porositë tona, nëse konsolidojmë mjetet tona dhe i japim industrisë perspektiva për 10, 20 ose 30 vitet e ardhshme.”

Deri në 3 milionë predha

Grupi më i madh i pajisjeve mbrojtëse të Gjermanisë “tashmë ka një kapacitet më të lartë se ai i SHBA” kur bëhet fjalë për prodhimin e predhave 155 mm, tha për AFP Armin Papperger, drejtues i grupit më të madh të pajisjeve mbrojtëse në Gjermani.

Në të ardhmen, “SHBA dëshiron të prodhojë 1 milion predha në vit dhe Evropa dy deri në tre milionë, falë unitetit të partnerëve evropianë,” shtoi ai. Deri në fund të marsit, evropianët do të jenë në gjendje të dorëzojnë vetëm gjysmën e 1 milion predhave të premtuara Ukrainës vitin e kaluar.

Kompleksi Unterliss i Rheinmetall prodhon tashmë predha 120 mm për tanket Leopard 2 të përdorura në vijën e frontit në Ukrainë. Nga 60,000 copë në vit para 2022, prodhimi i tyre tani arrin në 240,000.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo