Shëndetësi

​Kanceri i gjirit nuk po kursen as moshat e reja

Numri i rasteve të kancerit të gjirit tek moshat e reja po shënon rritje.

Rreth 430 gra gjatë këtij viti mendohet se do të jenë raste të reja të atakuara me këtë sëmundje.Përveç sfidave me shëndetin, ato ballafaqohen edhe me kushte jo të mira për trajtim.

Drejtoresha e Qendrës për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi ngrit shqetësimin edhe për mungesë të shtretërve në Klinikën e Onkologjisë.

Nafije Latifi, e cila është drejtoreshë e Qendrës për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” thotë se mbi 400 raste me kancer të gjirit po shënohen çdo vit në vend.

“Kemi kërkuar çdo herë ndërgjegjësim së pari, sepse ne si shoqëri civile këtë kompetencë e kemi, që të informojmë dhe të ndërgjegjësojmë gratë që sëmundja është këtu, atakon një numër të madh të tyre.Këtë vit mendohet që do të jenë rreth 430 gra raste të reja. Dhe jemi munduar që të sensibilizojmë edhe institucionet që të kenë kujdes më të madh për mundësitë e diagnostikimit dhe të trajtimit të grave. Për vite nga koha kur jam atakuar unë në vitin 2004 ka ndryshime të mira, pozitive”, shprehet ajo.

Rastet e reja të prekura me këtë sëmundje po atakojnë së fundmi edhe moshat më të reja.

“Për fat të keq po shihet se po bie mosha e grave që atakohen me këtë sëmundje. Derisa viteve të kaluara dhe nëpër botë atakohet një moshë rreth 45-55 (vjeçare) kjo është mesatarja që atakohen gratë nëpër botë, tek ne për shkak të moshës më të re të popullsisë po vërehet që edhe mosha e grave që atakohen me këtë sëmundje është në rënie. Kemi edhe raste edhe rreth të 30-tave, rreth të 40-tave që janë paciente në Onkologji”, deklaron Latifi.

Derisa thotë se kosto për trajtimin e pacientëve është shumë e madhe, gruaja e cila u atakua vet nga kjo sëmundje tregon se mungojnë kushtet për trajtimin e kancerit të gjirit.

“Kushtet në Onkologji janë mjaft të kufizuara, ajo ndërtesë është paraparë për një numër shumë më të vogël të pacientëve, kurse numri çdo herë shtohet dhe mundësitë janë të vogla. Vitin e kaluar është dhënë një shënim që 5.5 pacientë ‘konkurrojnë’ në ditë për një shtrat.

Merreni me mend sa duhet të pritet. Kemi edhe lista të pritjes edhe në Radiologji në Radioterapi, mirëpo nuk janë të jashtëzakonshme, sepse është sjellë edhe një aparat shumë i sofistikuar për radioterapi. Kushtet po përmirësohen dita-ditës por jo me atë dinamikë sa është nevoja e pacientëve”, shton Latifi.

Qendra për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” po kërkon çdo vit që të sigurohen produktet që u nevojiten grave gjatë trajtimit me kancer të gjirit.

“Një prej kërkesave tona është edhe sigurimi i produkteve të cilat ndikojnë në psikiken e grave, siç janë parukat, protezat dhe gjoksoret. Për vite me radhë i kemi siguruar duke i lypur nga kompanitë e ndryshme të cilat na kanë ofruar donacionet për shoqatën, por ne të gjitha ato i kemi orientuar për nevojat e pacientëve”, deklaron ajo për KosovaPress.

Me mesazhin se sëmundja e kancerit mund të tejkalohet, Nafije Latifi e cila mposhti kancerin e gjirit kërkon nga rrethi që të përkrahin gratë.

“Të gjitha gratë që diagnostikohen edhe trajtohen nga kjo sëmundje duhet të gjejnë forcën në vete që të trajtohen me një pozitivitet, me një forcë, besim të madh që do ia dalin. Së pari është mesazhi për familjarët edhe për rrethin e tyre që të kenë mirëkuptim, t’i mbështesin, t’ju ndihmojnë dhe t’ia dalin së bashku.

Në rrugëtimin tim nga viti 2004 me këtë sëmundje, ka qenë familja, bashkëshorti im i ndjerë dhe miqtë e mi të cilët kanë qenë çdo moment pranë meje dhe më kanë dhënë shumë forcë që t’ia dal për vite me radhë edhe pse sëmundja më është kthyer disa herë, unë kam pasur shumë mbështetje dhe shumë besim, përkrahje nga familjarët dhe miqtë që të përballojë dhe t’ia dal kësaj sëmundje”, shprehet Latifi.

Tetori, i njohur ndryshe si “muaj rozë” shënon muajin ndërkombëtar të luftimit të kancerit të gjirit.

Edhe këtë vit do të organizohet marshi tradicional “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”, me thirrjen që gratë të bëjnë kontrolle të rregullta.

“Këtë vit kemi paraparë ligjërata në bashkëpunim me Shoqatën e Onkologëve të Kosovës, me të cilët bashkëpunojmë për vite me radhë dhe me të cilët kemi qenë në të gjitha komunat e Kosovës. Vitin e kaluar kemi qenë në 11 kolegje dhe kemi bashkëbiseduar sepse këto ligjërata janë interaktive… Sivjet kemi planifikuar ligjërata me pjesëtarë të minoriteteve, të cilat jetojnë në Kosovë dhe jemi në koordinim me ta. Kemi paraparë ecjen tradicionale për herë të 17-të, shpresojmë që do të kemi popullatë por do të kemi edhe krerët e institucioneve”, përfundon ajo.

Marshi tradicional do të organizohet më 14 tetor nga ora 12 nga sheshi “Skënderbeu” në drejtim të atij “Zahir Pajaziti”

Po ashtu do të publikohet edhe promo televizive, e cila fton gratë për vet kontrolle dhe donacione për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.