Kryeministri Albin Kurti, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Dublin është pritur në Parlamentin e Irlandës nga përfaqësues të Komitetit për Çështje të BE-së me të cilët ka biseduar rreth statusit të vendit kandidat për BE.
Përfaqësuesit e Komitetit për Çështje të BE-së përbëhej nga kryesuesi Barry Ward, anëtari Rúairí Ó Murchú, sekretari Ivan Farmer, dhe drejtori për Zgjerim dhe Njësinë për Evropën Juglindore i BE-së, Frank Smyth.
Kurti me këtë rast theksoi se rrugëtimi zyrtar i Kosovës drejt BE-së, nëpërmjet marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim, nuk duhet të vonohet.
“Është thelbësore që Këshilli të kërkojë mendim nga Komisioni për aplikimin e dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Për ne procesi nuk është më pak i rëndësishëm se arritja në cak, sepse me përmbushjen e reformave përveçqë lëvizim përpara në rrugën evropiane, përfitojnë qytetarët dhe forcohemi si shtet”, ka thënë Kurti.
Kujtojmë, Kosova ka aplikuar për statusin e vendit kandidat për BE në dhjetor 2022, por Komisioni Evropian ende nuk e ka nisur shqyrtimin e tij formal.
