
Një kapitull i ri është hapur në sagën e gjatë mes Kanye West dhe Kim Kardashian, me reperin që, sipas mediave amerikane, po përpiqet të arrijë një marrëveshje paqësore për kujdestarinë e katër fëmijëve të tyre: North (11 vjeç), Saint (9), Chicago (7) dhe Psalm (6).
Shqetësimi i reperit 48-vjeçar lidhet ngushtë me gjendjen e tij të tronditur financiare.
Pas deklaratave kontraverse dhe ofendimeve ndaj komunitetit hebre – për të cilat ai është përpjekur të kërkojë falje publike – Kanye ka humbur kontrata të mëdha, përfshirë partneritetin me Adidas.
Pasuria e tij neto, e cila më parë vlerësohej në 1.9 miliardë dollarë, ka rënë ndjeshëm në rreth 400 milionë dollarë, dhe shifra pritet të bjerë më tej për shkak të padive të hapura dhe kostove të larta ligjore.
Sipas burimeve pranë këngëtarit, Kanye ka shprehur frikë se një betejë gjyqësore me Kardashian do t’i kushtonte miliona që ai nuk i ka më në dispozicion.
“Ai e di që nuk mund të përballojë një proces të gjatë dhe të kushtueshëm ligjor. Avokatët e tij e kanë paralajmëruar se kjo do të ishte shkatërruese për të”, ka thënë një burim për mediat amerikane.
Në përpjekje për të përmirësuar situatën dhe imazhin e tij, Kanye ka bërë një kërkesë publike për falje në rrjetet sociale:
“Më ka mbaruar antisemitizmi. Ndani paqen. Zoti më fal për dhimbjen që kam shkaktuar”, shkroi ai.
Për më tepër, reperi thuhet se i ka dërguar Kim-it një letër ligjore për të ndalur – sipas tij – “shfrytëzimin e fëmijëve”, por dokumenti nuk ka patur asnjë vlerë ligjore dhe është konsideruar thjesht si një veprim i dëshpëruar.
Sipas ekspertëve ligjorë, deklaratat kontraverse të Kanye-t dhe sjellja e tij në publik pritet të peshojnë rëndë në çdo proces për kujdestarinë.
Ndërkohë, ai shpreson që tërheqja e tij nga konfrontimi të nxisë Kim-in të tregojë mirëkuptim dhe të pranojë një marrëveshje jashtë gjykatës.