Lajme

Kapen 2.6 ton kokainë në Kolumbi, dyshohet se porositës ishin shqiptarët e serbët

Pasditen e kësaj të shtune, 20 janar, drejtori i policisë kolumbiane, gjenerali Willian Rene Salamanca, ka dhënë detaje lidhur me dy operacionet e kryera në portin e Santa Marës.

Sipas asaj që mediat e huaja shkruajnë, referuar informacioneve të bëra me dije nga Salamanca, mësohet se gjatë këtyre operacioneve janë sekuestruar 2600 kilogramë kokainë të pastërtisë së lartë.

Mësohet se kokaina kishte destinacion përfundimtar Holandën dhe Belgjikën. Sipas burimeve të Policisë, sekuestrimi i parë u bë gjatë kontrollit të kontejnerëve të mallrave që ndodheshin në portin e Santa Martës.

Pamje nga operacioni
Pamje nga operacioni

Në vend u kontrollua një kontejner që u raportua se ishte një ngarkesë me banane me destinacion Vlissingen, Hollandë. Sakaq, operacioni i dytë u krye gjatë inspektimit të një ngarkese po me banane e cila kishte si destinacion portin e Antwerpit në Belgjikë.

Nuk përjashtohet mundësia që kokaina e pastërtisë së lartë të ishte për trafikantët e drogës të të ashtuquajturit karteli ballkanik, i cili bëri bashkë bosët e mafias shqiptarë dhe serbë .

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo