Lajme

Kasieri 23-vjeçar i vjedh pronarit në Tiranë çekun me 10 mijë euro

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 23-vjeçar pasi kishte vjedhur çekun më vlerën 10 mijë euro, në subjektin ku dhe ishte punësuar.

Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se shtetasi L.Sh, banues në Tiranë ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën, në subjektin ku ishte punësuar si kasier, një çek me vlerën 10 000 euro, të cilin më pas ua ka dhënë 2 shtetasve, K.L 24 vjeç dhe A.L, 24 vjeç, që janë shpallur në kërkim.

“Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. L., 24 vjeç dhe A. L., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër”, thuhet në njoftimin e Policisë ndër të tjera.

Ka qenë pronari i këtij subjekti ai i cili njoftoi Policinë se i kishin vjedhur në biznesin e tij çekun me vlerën mijëra euro. Menjëherë pas marrjes së këtij denoncimi blutë e Tiranës u vunë në lëvizje dhe bënë të mundur zbardhjen e kësaj ngjarje si dhe vënien para drejtësisë të një prej autorëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, ndërkohë policia po punon për kapjen e dy shkodranëve të përfshirë në këtë ngjarje.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Tiranë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, të angazhuara maksimalisht për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Çeku”.

Vodhi një çek me vlerën 10 000 euro, në subjektin ku ishte i punësuar, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari. Identifikohen 2 bashkëpunëtorët e këtij shtetasi dhe vijon puna për kapjen e tyre. 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për identifikimin e autorëve të vjedhjeve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, pas kallëzimit të depozituar nga pronari i një subjekti, se i kishin vjedhur një çek me vlerën 10 000 euro në subjektin e tij, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, menjëherë kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “Çeku”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve. 

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi L. Sh., 23 vjeç, banues në Tiranë. 

Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. L., 24 vjeç dhe A. L., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër. 

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi L. Sh. ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën, në subjektin ku ishte punësuar si kasier, një çek me vlerën 10 000 euro, të cilin më pas ua ka dhënë 2 shtetasve që janë shpallur në kërkim.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. 

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo