Lajme

Kastrati ironizon me Kurtin: “Djalosh simpatetik”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas pak ditësh që nga prezantimi i masave nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq ndaj Kosovës, i ka komentuar ato masa, duke i quajtur “pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja”.

Kurti për këto masa, fillimisht këmbënguli që së pari të flitet për tri kushtet që i ka vendosur ai si kryeministër i Kosovës, që ndryshe prej të atyre të Vuçiqit, i quan paqësore dhe racionale.

Këto deklarata të Kurtit i ka komentuar deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati

Kastrati ka thënë se kryeministri Kurti po e mban ‘gjallë’ temën e dialogut për të ‘fshehur’ dështimet në qeverisjen e tij.

Ai tutje Kurtin e ka quajtur “Djalosh simpatetik”.

Kastrati ka ironizuar duke përmendur vende të punës që sipas tij, do të duheshin të realizoheshin në katër vitet e qeverisjes së Kurtit.

“Ky djaloshi që ecte në shesh të Prishtinës, ish dash sot pas 4 viteve të qeverisjes me na tregu për nja 42 vende të Punës në Gjilan që i ka investuar një fabrikë nga Holanda për prodhimin e fijeve të duhanit, për nja 28 vende të punës në Gjakovë që i ka investuar një fabrikë e elektrometrave sepse kështu ka premtuar, për një fabrikë në Vushtrri për shtimin e kapaciteteve të patateve ku janë punësuar diku 52 punëtorë nga një investitor francez, etj. Dhe, në fund ne këtu duke bë bilancin do të kishim mundësinë me u ballafaquar pozitë opozitë se a janë pak apo shumë këta numra të punësimit që i ka bërë Albin Kurti. Meqenëse ka zero vende të reja punës, përkundrazi ka ikje të 200 mijë vetave prej Kosovës, këta 200 mijë veta nuk ikin për qejf, por ikin sepse nuk ka pasur vende të reja të punës në Kosovë. Atëherë natyrisht duhet me u merr me këto tema të dialogut”, është shprehur Kastrati.