Harta e botës që shumica prej nesh ka parë në shkollë, libra dhe ekrane nuk është dhe aq “e saktë”. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë të premten për një rezolutë që synon heqjen graduale të hartës tradicionale dhe zëvendësimin e saj me një hartë që paraqet më saktë përmasat e vërteta të kontinenteve.
Nisma është sponsorizuar nga Togo (shtet i vogël në Afrikën Perëndimore) dhe mbështetet nga vendet e Bashkimit Afrikan. Në qendër të debatit është fakti se harta Mercator, e krijuar në vitin 1569 nga hartografi Gerardus Mercator, i deformon përmasat e tokave sipas pozicionit të tyre në glob.
Kjo do të thotë se zonat pranë ekuatorit duken më të vogla, ndërsa ato në gjerësi më të larta gjeografike duken shumë më të mëdha nga sa janë në realitet. Shembulli më i fortë është Afrika dhe Groenlanda. Në hartën tradicionale ato mund të duken afërsisht të ngjashme në përmasa, por në të vërtetë Afrika është rreth 14 herë më e madhe se Groenlanda.
Madje, sipas fushatës #CorrectTheMap, brenda Afrikës mund të vendoseshin Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Japonia, Meksika dhe pjesa më e madhe e Europës, dhe sërish do të mbetej hapësirë.
Harta Equal Earth e vitit 2018
Mercatori nuk e krijoi hartën për të matur drejt sipërfaqet. Ajo u projektua për të ndihmuar marinarët në navigim, ndaj funksiononte shumë mirë për qëllimin e saj fillestar. Problemi është se, pothuajse pesë shekuj më vonë, ajo vazhdon të përdoret gjerësisht në arsim, teknologji dhe institucione.
Fushata e mbështetur nga Togo kërkon përdorimin e hartës Equal Earth, të krijuar në vitin 2018 nga një ekip ndërkombëtar kartografësh. Ky projeksion ruan më mirë raportet reale të sipërfaqeve dhe e paraqet Afrikën shumë më pranë përmasave të saj të vërteta.
Për mbështetësit e ndryshimit, çështja nuk është vetëm teknike. Kritikët e Mercatorit prej vitesh argumentojnë se mënyra si paraqitet bota vizualisht ka ndikuar edhe te perceptimi ynë për rëndësinë e rajoneve të ndryshme. Disa aktivistë e kanë quajtur këtë edhe “kolonializëm hartografik”, duke thënë se harta zmadhon vizualisht vendet e hemisferës veriore dhe zvogëlon ato të jugut.
Rezolutat e OKB-së nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por nëse kjo nismë miratohet, ajo mund të hapë rrugën për ndryshime në tekstet shkollore, programet mësimore dhe platformat teknologjike që përdorim çdo ditë.
