Prokuroria Themelore në Gjakovë ndaj të pandehurit me inicialet Ç.Zh. i paraqiti kërkesë në Gjykatën Themelore në këtë qytet për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri më 10 tetor 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Anton Çeta” në Gjakovë, tek “R.M.T” i maskuar dhe nën kërcënimin e thikës, ka grabitur rreth 8.000 euro, pasi ka kërcënuar punonjësen dhe ka marrë paratë nga dollapi ku mbaheshin ato.
“I pandehuri Ç.Zh. ka qenë në arrati, ndërsa më datë 15 tetor 2026 është arrestuar. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i njëjti gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.
Me këto veprime i pandehuri Ç.Zh. ka kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
