Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të marrë pjesë në Grupin Punues të formuar për hartimin e mbrojtjes në shkallën e dytë të Gjykatës Speciale, ka konfirmuar kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se i ka kërkuar shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së që për këtë grup të propozojë akademikun Kujtim Shala.
“Nëse akademiku Kujtim Shala nuk mund të marrë pjesë, atëherë me siguri do të jetë vetë Jehona Lushaku-Sadriu”, deklaroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së theksoi se partia e tij e mirëpret çdo përpjekje të përbashkët në këtë drejtim, por kërkoi që iniciativat të mos krijojnë pritshmëri të rreme te qytetarët për efektet e tyre juridike.
“Çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, për aq sa nuk i mashtrojmë qytetarët e Kosovës me iniciativa që s’kanë efekt juridik, gjithçka tjetër është e pranueshme”, u shpreh Abdixhiku.
