6 tetori ka shënuar një ditë të rëndësishme për Kosovën, fillimisht me kalimin e projektligjit për ndryshimet e Speciales dhe pastaj me zgjedhjen e presidentes së re, Justina Shiroka- Pula.
Ndryshimet e miratuara në tetor 2026 në Kuvendin e Kosovës për Ligjin e Dhomave të Specializuara (“Gjykata Speciale”) nuk e shfuqizojnë ose shpërbëjnë gjykatën, por kufizojnë dhe ndryshojnë disa nga aspektet kryesore të funksionimit të saj.
Përmbajtja kryesore e ndryshimeve legjislative përfshin:
Periudha kohore e juridiksionit: Shkurtohet periudha kohore e krimeve që mund të trajtohen, duke u vendosur nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000 (duke hequr periudhën nga janari 1998 deri më 30 qershor 1999 që ishte më parë).
Juridiksioni territorial: Kufizohet vetëm në veprat e pretenduara të kryera brenda territorit të Kosovës, duke hequr kompetencën për pretendime jashtë tij (si ato në veri të Shqipërisë).
Dënimi maksimal: Caktohet që dënimi maksimal me burgim që mund të shqiptohet të jetë 15 vjet, duke iu referuar parimit penal lex mitior (ligji më i favorshëm për të dënuarin).
Mbajtja e dënimeve dhe procedurat: Parashikohet që vuajtja e dënimeve të bëhet në Kosovë dhe krijohen mundësi të reja për trajtimin e personave të dënuar apo procedurat e mëtejshme.
Çka mbetet e pandryshuar: Gjykatat nuk mbyllen plotësisht dhe nuk ndalen procedurat e apelit për krerët e UÇK-së, ndërsa hetimet për pretendimet mbi trafikimin e organeve sipas raportit të Këshillit të Evropës mbeten në kuadër të mandatit të saj.
Kurse, profesori dhe doktori Sadri Rambaja thotë se Kosova duhet ta trajtojë me seriozitet mundësinë e rishqyrtimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke e konsideruar këtë proces të rëndësishëm për forcimin e rendit kushtetues dhe afirmimin e sovranitetit shtetëror.

Sadri Rambaja
Në një prononcim për “Bota sot”, Ramabaja ka theksuar se Presidentja e Republikës duhet të ndërmarrë hapa institucionalë për inicimin e një analize të mirëfilltë juridike, e cila do të përfshinte ekspertë të së drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare, vlerësimin e praktikës së deritanishme dhe shqyrtimin e përputhshmërisë së ligjit me standardet kushtetuese dhe evropiane.
Sipas tij, një nismë e tillë nuk duhet të shihet si përpjekje për t’iu shmangur drejtësisë apo si konfrontim me partnerët ndërkombëtarë, por si mundësi për të identifikuar mangësitë eventuale dhe për të vlerësuar nëse ekziston bazë juridike për përmirësime ligjore.
“Hapi i parë që do t’i sugjeroja Presidentes së Republikës së Kosovës do të ishte inicimi i një procesi serioz për rishqyrtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me synimin për të identifikuar dhe korrigjuar mangësitë e mundshme juridike e kushtetuese të tij. Ky proces duhet të mbështetet në ekspertizë profesionale, në analizë të hollësishme të praktikës së deritanishme dhe në një vlerësim të kujdesshëm të përputhshmërisë së dispozitave përkatëse me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Ramabaja.
Ai ka rikujtuar se miratimi i këtij ligji në vitin 2015 duhet të shërbejë si bazë për një reflektim institucional, duke argumentuar se vendimet politike të së kaluarës nuk duhet të përjashtohen përgjithmonë nga shqyrtimi kritik.
Ramabaja ka propozuar që një grup ekspertësh të pavarur të analizojë dispozitat e ligjit dhe mundësitë për ndërhyrje eventuale, ndërsa konsultimet me partnerët ndërkombëtarë i sheh si të domosdoshme për ruajtjen e dialogut dhe shmangien e tensioneve diplomatike.
“Sovraniteti nuk dëshmohet përmes retorikës së konfrontimit, por përmes aftësisë së shtetit për të vepruar mbi bazën e Kushtetutës, të argumentit juridik dhe të përgjegjësisë institucionale. Një shtet që e konsideron veten të barabartë me shtetet e tjera duhet të ketë guximin t’i shqyrtojë vendimet e veta, por edhe maturinë që këtë ta bëjë nëpërmjet procedurave legjitime dhe me respekt për detyrimet ndërkombëtare”, ka theksuar ai.
Profesori Ramabaja e ka ndërlidhur këtë çështje edhe me synimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke vënë në pah rëndësinë e standardeve evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe garantimin e një procesi të rregullt gjyqësor.
Sipas tij, shqyrtimi i legjislacionit që rregullon Dhomat e Specializuara duhet të bëhet edhe në raport me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pa paragjykuar nëse ligji përmban shkelje apo nëse ndryshimet janë të domosdoshme.
“Kosova nuk duhet të zgjedhë ndërmjet partneritetit ndërkombëtar dhe sovranitetit të saj kushtetues. Ajo duhet të dëshmojë se këto dy dimensione mund të funksionojnë në harmoni. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe integrimi në sistemin e Strasburgut mund të krijojnë një kornizë më të qëndrueshme për këtë ekuilibër: një shtet që pranon kontrollin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, por që njëkohësisht ushtron përgjegjësinë e vet për ta përmirësuar legjislacionin dhe për të garantuar drejtësi të barabartë”, ka deklaruar Ramabaja.
Në përfundim, ai ka theksuar se Presidentja mund ta shfrytëzojë këtë çështje për të nxitur një proces institucional të matur, i cili do të ndërthurte respektimin e Kushtetutës, ruajtjen e partneriteteve strategjike dhe mbrojtjen e interesit shtetëror.
Ramabaja ka vlerësuar se Kosova ka nevojë për një qasje që nuk i trajton vendimet e së kaluarës si të paprekshme, por që çdo ndryshim të mundshëm e mbështet në argumente juridike, procedura kushtetuese dhe respektim të detyrimeve ndërkombëtare.
