Lajme

Këshilli i Sigurimit i OKB-së voton sot rezolutën për armëpushim urgjent në Gaza

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet pas disa orësh për të votuar rezolutën për armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së vjen dy ditë pasi shefi i OKB-së Antonio Guterres ndërmori hapin për të aktivizuar nenin 99 të kartës së OKB-së.

Antonio Guterres iu referua për herë të parë që nga marrja e drejtimit të organizatës ndërkombëtare në 2017 nenit 99 të Kartës së OKB-së, i cili “tërheq vëmendjen” e Këshillit të Sigurimit për një çështje që “mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Askush në rolin e tij nuk e ka bërë këtë në dekada. Masa i lejon sekretarit të përgjithshëm të sjellë në vëmendjen e këshillit “çdo çështje që sipas mendimit të tij mund të kërcënojë ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë përgatitur një projekt-rezolutë që do të hidhet në votim. Rezoluta ka nevojë për të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca apo Britania për tu miratuar.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo