Lajme

Këshilltari i Kurtit i quan gazetarët të çmendur, reagojnë Kajtazi e Mehmetaj: Kanë provu me na lidhë me Serbinë, kanë dështu

Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar ndaj këshilltarit të Albin Kurtit, Jusuf Ulajt, i cili me një postim të premten i ka fyer gazetarët që kanë raportuar se janë duke u përcjellë nga agjentët e AKI-së.

Ulaj i ka cilësuar të çmendur gazetarët.

Ndërkaq, gazetari Kajtazi ka thënë se pushtetet e kaluara kanë tentuar t’i shpallnin gazetarët si të kapur nga Klani Pronto, t’i shpallnin edhe të korruptuar dhe të lidhur me Serbinë, por dështuan.

“Kanë provu me na shpalle te kapur prej Klanit Pronto (ndërkohë unë autor). Kanë dështuar. Kanë provu me na shpalle të korruptuar. Kanë dështuar. Kanë provu me na lidhë me Serbi. Kanë dështuar”, ka shkruar Kajtazi.

“Tash provojnë me na shpalle të çmendur nëpërmjet një legeni të quajtur Jusuf Ulaj që është këshilltar i Albin Kurtit. Ky është akti i kapitullimit të një regjimi”, ka shkruar gazetari Kajtazi.

Për Jusuf Ulajn ka shkruar edhe gazetari i Albanian Post, Lirim Mehmetaj, ku Ulajn e quan mjek të sëmurë të Vetëvendosjes.

Madje, Mehmetaj thotë se kur nuk arrijnë që të lidhin me Serbinë kthehen nga metoda saliniste e i shpallin gazetarët kundërshtar të çmendur.

Postimi i plotë i Lirim Mehmetajt:

“Jusuf Ulaj, mjeku i sëmurë i Vetëvendosjes, keqpërdoruesi i pacientëve dhe përshkruesi i tabletave me marrëveshje.

Shpesh thonë me shaka se mjeku merr simptomat e pacientit. Ja një rast kur një psikiatër – fatkeqësisht këshilltar i kryeministrit – shkruan jo si mjek, po si pacient me nevojë urgjente për trajtim.

Këta, kur nuk të lidhin dot me Serbi (armikun e jashtëm), i kthehen metodës tjetër staliniste, i shpallin kundërshtarët të çmendur.

Ky Ulaj, si person afër kryeministrit, provon që një krizë të thellë institucionale dhe rrezikim të skajshëm të demokracisë, ta trajtojë si çrregullim individual.

Ti o i ashtuquajtur mjek je aq i pa kurrizor saqë për të mbajtur strehën e pushtetit e riprodhon gjuhë e tyre duke mohuar faktin e keqpërdorimit eklatant për qëllime të ndyta partiake.

Popull i dashur, ky është veç një mjek hajn që vjedh pacientët e tij, duke u përshkruar ilaçe të caktuara në marrëveshje me kompani farmaceutike.

Pra, i detyron pacientët të blejnë vetëm tableta të caktuara, për të marrë përqindjen e tij më pas nga kompania.

Ky është një mjek që kinse është anëtar në një parti të majtë, derisa punon në sektor privat dhe në ordinancën e tij mban çmime astronomike, duke e gjobitur popullatën më të varfër në botë.

Më e keqja, ti je një shërbëtor i Afrim Blytës, për të cilin, sa të më dal pak kohë, do ta kuptoni i biri i cilit zyrtar të strukturës së sigurisë së famëkeqit Aleksandër Rankoviç ishte ai.

Për këtë do të ofroj dëshmi me dokumentacion”.