Kthimi në Serbi, i kushtoi shtrenjtë Ranko Tepavaqit.
Serbi i lindur në Bellopojë të Istogut, u arrestua të enjten në zonën e Kraljevës nga autoritetet serbe.
E gjitha kjo nën akuzën për “Spiunazh”. Por, çka e vuri në lëvizje gjithë aparaturën shtetërore serbe?.
Shkak për këtë, dyshohet të jetë një deklaratë që Tepavaq, ua dha hetuesve të UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës, me 7 shkurt të vitit 2003.
Faji i Tepavac, sipas autoriteteve serbe, është se dëshmoi për ngjarjen e 19 prillit të vitit 1999, ku u vranë 23 burra shqiptarë.
Një artikull të gazetës “Zëri” me 7 janar të vitit 2013, ishte publikuar dëshmia që Tepavaq e dha para hetuesve për krimet serbe, 4 vite pas përfundimit të luftës.
“Gjatë luftës, kur kam ardhur në Kalludrën e Vogël, jam njoftuar nga gjyshja, se një grup i civilëve shqiptarë është nisur këmbë dhe ka mbërritur deri në fshatin Malla Kolludra, në malin ‘Orlujak’ të këtij fshati. Këtë grup e ka hetuar fshatari Jovica Utviq (Buçak-Artemije). Menjëherë i ka ndalur dhe i ka urdhëruar që t’ia jepnin krejt paratë që kanë me vete dhe gjërat tjera me vlerë, arin. Ata ia kanë dhënë, me shpresën se Jovica do t’i lëshonte që të shkojnë për në Ulqin, siç kishin thënë civilët shqiptarë. Pasi që ua mori paratë, Jovica i ka urdhëruar që të vazhdojnë tutje, por menjëherë pasi ia kanë kthyer shpinën, e ka zbrazur gjithë karikatorin (30 fishekë) në ta dhe i ka shqyer dhe vrarë”, kishte deklaruar Tapavaq.
Tutje, 46 vjecari, dëshmoi për lidhjet që Jovica Utviq, kishte me forcat serbe.
“Disa njerëz të tjerë që ndodheshin aty kanë vrapuar për t’u ndihmuar atyre, pasi që Jovica i kishte vrarë, ndërsa njëri prej tyre ka shkuar dhe e ka lajmëruar rastin te policia, e cila menjëherë ka ardhur për të parë se çfarë ka ndodhur. Policia i ka urdhëruar ata: “Këta njerëz që i keni vrarë, groposni”. Jovica Utviq, të njëjtën ditë, pasdite ka marrë një qerre me qe nga vjehrri i tij, i cili nuk ka qenë në shtëpi. Ai nuk ka treguar se për çfarë i duhej qerrja, ndërsa bashkë edhe me 5 njerëz të tjerë, i ka ngarkuar kufomat dhe i ka groposur në një vend ku nuk kalon askush, poshtë fshatit Malla Kolludra”, shtoi ai.
Tepavaq, ishte shprehur i gatshëm qysh në vitin 2003 për të treguar se ku gjendet varreza masive në Kalludër të Vogël. Por e gjitha kjo, me një kusht.
23 vjet pas kësaj dëshmie, autoritetet e Kosovës, kanë filluar gërmimet në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut.
Deri në mesditën e së premtes, këtu janë gjetur mbetjet mortore të disa personave.
Ndërkaq, shteti serb, dëshminë e Ranko Tepavaqit, e cilësoi si vepër penale të spiunazhit, për të cilën iu caktua edhe masa e paraburgimit deri në 48 orë, pas së cilës do të dërgohet në Prokurorinë e Lartë Publike kompetente në Kraljevë.
